Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Të enjten, para një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës me përfaqësues të partive politike për konsultime në përpjekje për zhbllokimin e ngërçit, ligjbërësit refuzuan për të tetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 15 maj, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën e 17 majit.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.