Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për dënimin me burgim të përjetshëm të Edmond Lajçit, i shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella. Apeli ka refuzuar ankesën e mbrojtjes, duke e cilësuar të pabazuar.
Lajçi u dënua për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armës së zjarrit, një pistoletë “Zoraki 917-T” me të cilën kreu krimin. Sipas aktgjykimit, pistoleta do të shkatërrohet pasi vendimi të bëhet i plotfuqishëm. Në dënim është përfshirë edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 16 prilli 2024.
Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe i argumentuar, me prova të mjaftueshme që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit. Po ashtu, theksoi se nuk ekziston asnjë rrethanë që ta përjashtojë Lajçin nga përgjegjësia penale.
Në vendimin e saj, gjykata thekson se dënimi i përjetshëm synon jo vetëm ndëshkimin e kryerësit, por edhe parandalimin e krimeve të ngjashme në të ardhmen dhe forcimin e besimit të publikut në drejtësi.