
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar zyrtarisht për takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite.
SHBA do të heqë menjëherë ndalimin për ndarjen e informacioneve të shërbimeve inteligjente dhe do të rifillojë ndihmën e saj të sigurisë për Ukrainën.
Të dy vendet ndërmorën “hapa të rëndësishëm drejt rivendosjes së paqes së qëndrueshme” për Ukrainën gjatë takimit të sotëm, shtoi Departamenti i Shtetit.
Ukraina ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin e SHBA për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor.
Të dy vendet kanë thënë gjithashtu se kanë rënë dakord të përfundojnë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve minerale të rralla.
Delegacionet kanë rënë gjithashtu dakord të emërojnë ekipet e tyre negociuese dhe të zhvillojnë menjëherë bisedimet drejt një paqeje të qëndrueshme që siguron sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk po merrë pjesë në takimin e së martës.
Ukraina përfaqësohet nga shefi i tij i personelit Andriy Yermak, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, ministri i mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandanti Pavlo Palisa.
Para takimit, Presidenti Zelensky shkroi në “X” se Ukraina shpreson për “rezultate praktike”.
Kremlini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të kuptojnë se sa është Kievi i gatshëm për bisedime që t’i japin fund luftës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, drejtojnë delegacionin e Shteteve të Bashkuara mes përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës që filloi më 2022./Liberale.al