Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i mëshon idesë së tij se Amerika duhet të marrë kontrollit e Rripit të Gazës. Trump deklaroi të enjten se Izraeli do t'ia dorëzojë Rripin e Gazës Shteteve të Bashkuara pas përfundimit të luftimeve dhe se trupat amerikane nuk do të nevojiten në zonë.
“Rripi i Gazës do t'i dorëzohet Shteteve të Bashkuara nga Izraeli pas përfundimit të luftimeve. "Palestinezët... do të jenë zhvendosur tashmë në komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja dhe moderne, në zonë," tha Trump në një postim në platformën Truth Social, duke vazhduar deklaratat e tij të diskutueshme për të ardhmen e Gazës këtë javë. “Nuk do të nevojiten ushtarë nga Shtetet e Bashkuara”, përfundon ai postimin e tij.
Zhvendosja e banorëve të Gazës "do të jetë e përkohshme", kishte siguruar më herët Sekretari i Shtetit Marco Rubio, por presidenti amerikan nuk bëri asnjë referencë të tillë në postimin e tij.
Në një udhëtim në Guatemalë, Rubio tha se propozimi i Trump nuk ishte "armiqësor", por një "gjest bujar" që tregon "gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t'u bërë përgjegjëse për rindërtimin e këtij rajoni". Ai tha se ideja ishte që banorët e Gazës të largoheshin nga zona për një periudhë "të përkohshme", ndërsa rrënojat të pastroheshin dhe të bëhej rindërtimi.
Komentet e Rubios erdhën pasi Trump paraqiti një propozim që SHBA mund të "pushtojë" Gazën dhe të rivendosë miliona palestinezë që jetojnë atje - një ide që ka tërhequr kritika nga OKB-ja, shtetet evropiane, grupet e të drejtave të njeriut dhe udhëheqësit arabë.
Nga ana e saj, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, sqaroi më tej komentet e Trump, duke thënë se SHBA nuk po planifikonte të dërgonte forca ushtarake në enklavë.