Sot, në 4 shkurt, shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit miliona njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit shënohet në 4 shkurt, dhe është themeluar nga Unioni për Kontrollin ndërkombëtar për kancerin. Sëmundja e kancerit konsiderohet si një ndër 100 sëmundjet më të përhapura në popullatën globale.
Specifika e sëmundjes së kancerit është në rritjen e pakontrolluar të qelizave anormale në organizmin tonë të cilat më pas e sulmojnë atë, duke prekur organe të ndryshme dhe indet e shëndetshme.
Përhapja e madhe në këto vitet e fundit tregon qartë se sa shqetësuese dhe alarmante është situata, si pasojë e shkaqeve nga më të ndryshme që fajësohen si shkaktare të kësaj sëmundjeje të rrezikshme.
Mjekët këshillojnë që asnjëherë të mos i neglizhojmë simptomat e para të kësaj sëmundjeje, pasi sa më herët të paraqitemi tek mjeku specialist, aq më tepër mundësi kemi që ta kurojmë këtë sëmundje dhe pse jo, të fitojmë betejën me të.
Shkak për formimin e qelizave kancerogjene në trupin tonë janë qelizat e vjetra jofunksionale. Çdo ditë trupi ynë shumon qeliza të reja dhe të shëndetshme, kurse qelizat e vjetra apo ato jofunksionale vdesin. Ka raste kur qelizat e vjetra jofunksionale vazhdojnë të rriten dhe që më pas kthehen në qeliza kancerogjene duke u bërë kërcënim për shëndetin tonë.
Në këtë ditë të rëndësishme kundër sëmundjes së kancerit, mjekët specialist bëjnë apel që pacientët të kenë parasysh disa këshilla për të ulur sa më shumë riskun nga prekja e kësaj sëmundje. Mënyra e të jetuarit mund të jetë një shkak për krijimin e mundësisë që gjenet të kenë mutacion, hormonet, viruse dhe baktere të caktuara.
Marrja me aktivitete sportive, të jetuarit dhe të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme, mund të ulin rrezikun e prekjes nga kanceri.
Ndërsa, përmes ndërmarrjes së hapave për zbatimin e udhëzimit të ri të OBSH-së, planifikuesit e kujdesit shëndetësor mund të përmirësojnë diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe të sigurojnë trajtimin e menjëhershëm, sidomos për kancerit e gjirit, cerviksit dhe atë kolo-rektal. Kjo do të rezultojë me më shumë njerëz që i mbijetojnë kancerit.
Të gjitha vendet mund të ndërmarrin hapa për të përmirësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit, sipas Udhëzuesit të ri të OBSH-së për diagnostikimin e hershëm të kancerit tre hapat e diagnostikimit të hershëm janë: përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për simptomat e kancereve të ndryshme dhe inkurajimi i njerëzve që të kërkojnë kujdesin kur paraqiten ato simptoma, investimi në fuqizimin dhe pajisjen e shërbimeve shëndetësore dhe trajnimin e profesionistëve shëndetësorë, kështu që ata të mund të kryejnë diagnostikimin e saktë dhe me kohë, sigurimin që njerëzit që jetojnë me kancer të mund t’i qasen trajtimit të sigurt dhe efektiv, përfshirë zbutjen e dhembjes, pa përjetuar vuajtje frenuese personale apo financiare.