
Takimi i nivelit të lartë i delegacionit ukrainas me atë amerikan ka filluar në Jeddah të Arabisë Saudite, me qëllimin për të negociuar një armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë.
Ky është takimi i parë zyrtar që nga vizita katastrofike e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, më 28 shkurt. Pas këtij takimi, Trump vendosi të pezullojë të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës tha se takimi ka filluar "në mënyrë shumë konstruktive".
Delegacioni ukrainas propozon një ndërprerje të menjëhershme të bombardimeve ajrore dhe detare (por jo luftën tokësore) përpara se të flasë për një armëpushim të plotë.
Rusët duhet të ndalojnë bombardimin e Ukrainës dhe në këmbim ukrainasit, duhet të ndalojnë sulmet me dronë në tokën ruse dhe, kundër anijeve ruse që lundrojnë në Detin e Zi.
Brenda 24 orëve, ukrainasit kanë lëshuar më shumë se 330 dronë në territorin rus, referuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe 60 prej tyre kanë arritur në Moskë.
Mbrojtja ruse pretendon se i kanë rrëzuar të gjitha dronët, por zakonisht është rezervuar të tregojë pasojat e këtyre sulmeve, pasi disa dronë kanë arritur t’u shmangen mbrojtjes kundërajrore ruse.
Ky mund të konsiderohet si një nga sulmet më të mëdha me dron nga Ukraina që nga fillimi i luftës dhe ka mundësi që të ketë qenë i lidhur me negociatat, pasi ata donin t’u tregonin si rusëve por edhe amerikanëve se ndërprerja e bombardimeve do të ishte një vendim pozitiv edhe për Rusinë.
Ukrainasit gjithashtu propozojnë “shkëmbim robërish”, duke deklaruar se një marrëveshje e tillë mes palëve, si dhe ndalimi i bombardimeve do tregonte një lëvizje besimi për t’i hapur rrugë negociatave për një armëpushim të plotë. Megjithatë, para se t’i japin fund luftës në terren, ukrainasit kërkojnë garanci që Rusia nuk do të pushtojë më Ukrainën në të ardhmen.
Nëse palët do bien dakord, kjo tryezë bisedimesh do sillte qetësimin e parë të negociuar në lidhje me luftën që nga fillimi i plotë i pushtimit nga Rusia në shkurt të 2022. /Liberale.al