
Një vajzë 2-vjeçare dhe nëna e saj 37-vjeçare kanë ndërruar jetë dy ditë pasi u plagosën rëndë në një sulm me makinë gjatë një demonstrate sindikaliste në Mynih, njoftojnë mediat e huaja.
Sulmi ndodhi të enjten, kur një 24-vjeçar afgan, i cili kishte ardhur në Gjermani si azilkërkues, përplasi makinën mbi turmë. Autori u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa prokurorët gjermanë deklaruan se ai duket se kishte një motiv ekstremist islamik, por nuk ka prova që ai të ketë lidhje me ndonjë rrjet radikal.
Nga sulmi mbetën të plagosur 39 persona, dy prej të cilëve në gjendje kritike. Të shtunën, zyra e policisë kriminale shtetërore të Bavarisë konfirmoi se nëna dhe vajza e saj nuk i mbijetuan plagëve të marra, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Ngjarja është e pesta në një seri sulmesh të kryera nga emigrantë në nëntë muajt e fundit, duke e kthyer çështjen e migracionit në një temë qendrore të fushatës për zgjedhjet gjermane që do të mbahen më 23 shkurt.