Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tregoi një qasje më të qetë dhe më të hapur ndaj një marrëveshjeje paqeje me Moskën gjatë takimit të tyre të fundit në Vatikan.
Teksa foli para azetarëve përpara se të nisej me Air Force One, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se biseda e tyre ishte ndryshe nga takimi i tensionuar që patën në Zyrën Ovale në muajin shkurt.
“E pashë më të qetë. Mendoj se ai e kupton situatën dhe dëshiron një marrëveshje. Nuk jam i sigurt nëse e donte më parë,” tha Trump.
Gjatë javës, Trump i kishte thënë revistës Time se Krimea, sipas çdo marrëveshjeje paqeje, do të mbetej nën kontrollin rus, duke shtuar se edhe Zelensky “e kupton” këtë realitet, pavarësisht qëndrimeve publike të Kievit. I pyetur nëse mendonte se Zelensky ishte i gatshëm të hiqte dorë nga gadishulli, Trump u përgjigj: “Po, mendoj se po.”
Megjithatë, Presidenti ukrainas ka deklaruar vazhdimisht se Kievi nuk do ta njohë kurrë aneksimin e Krimesë nga Rusia një qëndrim që Trump më parë e kishte quajtur “të dëmshëm për procesin e paqes”.
Trump shtoi se, pavarësisht tonit më të qetë, Zelensky i kishte kërkuar sërish më shumë armë dhe ndihmë financiare. “Ai më tha se i duhen më shumë armë, por këtë e ka thënë për tre vjet. Ne i dhamë ndihmë me vlerë 350 miliardë dollarë,” tha Trump, duke pranuar situatën e vështirë në të cilën ndodhet Ukraina përballë një “forcë shumë më të madhe”.
Nga ana tjetër, Trump shprehu zhgënjim ndaj sulmeve të fundit ruse, që ndodhën pas një armëpushimi të shkurtër gjatë Pashkëve. Rusia ka pretenduar se objektivat e saj ishin vetëm instalime ushtarake, duke mohuar akuzat për sulme ndaj civilëve.
Ndërkaq, Kremlini ka theksuar se është i gatshëm të rifillojë bisedimet me Ukrainën pa parakushte. Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov, konfirmoi se çështja e bisedimeve u trajtua gjatë një takimi me të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, të premten.