Projektligji i taksave dhe i shpenzimeve i Presidentit amerikan Donald Trump nuk është lënë pa u komentuar edhe nga miliarderi Elon Musk.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Musk e ka cilësuar atë një “gjë të neveritshme” që do të rrisë deficitin federal.
“Më vjen keq, por thjesht nuk mund ta duroj më. Ky projektligj masiv, skandaloz dhe plot me shpenzime të Kongresit është një neveri. Do ta rrisë masivisht deficitin buxhetor tashmë gjigant në 2.5 trilionë dollarë dhe do t’i ngarkojë qytetarët amerikanë me një borxh dërrmues të paqëndrueshëm,” shkroi drejtori ekzekutiv i Tesla në X.
Shtëpia e Bardhë, tha se Trump ishte në dijeni të postimeve të fundit të Musk, por sipas Sekretares së Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, këto postime nuk e ndryshon mendimin e Presidentit dhe ai nuk ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi i tij.
Projektligji synon të përmbushë shumë nga premtimet e Trump të bëra gjatë fushatës, duke ulur taksat, do të zvogëloj shpenzimet sociale dhe do të rrisë borxhin federal. Nga ana tjetër ai synon të rrisë shpenzimet për ushtrinë dhe kontrollin kufitar. Gjithashtu do të zgjeronte uljet e taksave për koorporatat dhe individët të miratuara në vitin 2017 gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë.
Disa republikanë konservatorë në Senatin e SHBA-së mbështetën pikëpamjet që Musk shprehu në postimet në mediat sociale. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë muajin e kaluar, pasi Zyra e Buxhetit të Kongresit, tha se masa do t’i shtonte 3.8 trilionë dollarë borxhit të qeverisë federale prej 36.2 trilionë dollarësh. Senati, i kontrolluar gjithashtu nga republikanët e Trump, synon të miratojë muajin e ardhshëm, edhe pse priten ndryshime në versionin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Kundërshtimi i Musk ndaj një projektligji që Trump u ka kërkuar republikanëve ta miratojnë paraqet një provë të ndikimit të tij politik një javë pasi la rolin e tij formal në administratë si punonjës i posaçëm qeveritar në Departamentin e Efiçiencës së Qeverisë. Si shef i DOGE-së, ai udhëhoqi një fushatë të trazuar, për të zvogëluar madhësinë e qeverisë amerikane, e cila çoi në mbylljen e mijëra vendeve të punës federale.