Zëvendëspresidentja demokrate, Kamala Harris kryeson ndaj republikanit, Donald Trump, 47% me 40%, në garën për të fituar zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, zbuloi një sondazh i Reuters/Ipsos i publikuar të martën.
Harris ka një epërsi prej gjashtë pikësh. Sipas sondazhit tre-ditor që u mbyll të hënën, Harrisi ka marrë mbështetjen e 46.61% të votuesve të regjistruar, ndërsa Trump 40.48%.
Epërsia e demokrates ishte pak më e lartë se avantazhi i saj prej pesë pikësh ndaj Trumpit në një sondazh të Reuters/Ipsos të 11-12 shtatorit.
Të pyetur se cili kandidat ka qasje më të mirë për "ekonominë, papunësinë dhe vendet e punës", rreth 43% e votuesve në sondazh përzgjodhën Trump dhe 41% përzgjodhën Harris.
Avantazhi prej dy pikësh i Trump në këtë temë krahasohet me epërsinë e tij prej tre pikësh në një sondazh të gushtit të Reuters/Ipsos dhe një epërsi prej 11 pikësh ndaj Harris në fund të korrikut, menjëherë pasi ajo filloi fushatën e saj.
Ndonëse sondazhet kombëtare duke përfshirë sondazhet e Reuters/Ipsos japin sinjale të rëndësishme mbi pikëpamjet e elektoratit, rezultatet shtet pas shteti të Kolegjit Zgjedhor përcaktojnë fituesin, me shtatë shtete në fushëbetejë që pritet të jenë vendimtare.
Sondazhi i fundit i Reuters/Ipsos anketoi 1,029 të rritur amerikanë në internet, në mbarë vendin, duke përfshirë 871 votues të regjistruar./ Liberale.al/