Globi

Burrat e Koresë së Jugut kërkojnë nuse në Vietnam

Shkruar nga Liberale

Burrat e Koresë së Jugut kërkojnë nuse në Vietnam

Përshtati për Liberale.al, Laert Miraku

Disa burra dhe gra vendosin të kalojnë jetën së bashku, pavarësisht se e dinë që në fillim se nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët. Gjithnjë e më shumë burra të Koresë së Jugut po i gjejnë gratë e tyre jashtë vendit, qoftë në Vietnam, Kinë apo Tajlandë. Këto partneritete multikulturore janë një përgjigje ndaj një krize kombëtare: norma e ulët e martesave në Korenë e Jugut. 

Në Korenë e Jugut, martesa nuk është më një perspektivë tërheqëse, veçanërisht për gratë e reja që tani ëndërrojnë pavarësinë. Në vitin 2023, vetëm katër për qind e tyre e konsideruan martesën dhe fëmijët si një domosdoshmëri. Në dekadën e fundit, numri i dasmave në vend ka rënë me 40 për qind. Përballë këtij trendi, shumë meshkuj po shkojnë jashtë vendit për t'u martuar.

Në vitet 1980, qeveritë lokale kishin filluar tashmë orkestrimin e martesave multikulturore si përgjigje ndaj çekuilibrit gjinor në fshat. Megjithatë, sot kjo praktikë është bërë e njohur në qytetet e mëdha dhe po shfaqet si një nga zgjidhjet për ripopullimin e Koresë së Jugut.

Rënia e shkallës së martesave po çon vërtet në një krizë demografike alarmante. Me një mesatare prej vetëm 0,78 fëmijë për grua, Koreja e Jugut është vendi me lindjen më të ulët në planet, diçka që kërcënon vetë të ardhmen e vendit dhe rritjen ekonomike të tij. Qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur për dekada të tëra për të ndryshuar trendin, por pa sukses.

Në Korenë e Jugut, shumë burra beqarë në kërkim të një gruaje po kthehen në Vietnam , duke përdorur agjencitë e martesës në kërkimin e tyre për një shpirt binjak. Atje, shumë vajza të reja ëndërrojnë për një jetë më të mirë në një Kore të Jugut, edhe nëse nuk e flasin gjuhën dhe e njohin vendin vetëm përmes grupeve të djemve dhe serialeve televizive të suksesshme. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH