Një 21-vjeçare u godit me thikë për vdekje 'nga i dashuri i saj i droguar', ndërsa qindra njerëz kërcenin aty pranë në një mbrëmje në natyrë, sipas raportimeve.
Emma Drebenstedt kishte marrë pjesë në një festë tekno, së bashku me gati 200 të tjerë, në një pyll pranë Dresden të Gjermanisë, përpara se të vritej tragjikisht në orët e para të 18 majit.
Rreth orës 3:45 të mëngjesit, vendasit telefonuan policinë për të paraqitur ankesa në lidhje me zhurmën që vinte nga rave “i paligjshëm”. Makina patrullimi nga stacioni lokal u dërguan për të kontrolluar zonën dhe rreth tre orë më vonë policët e shpërndanë festën.
Por një grup pjesëmarrësish në festë hasën rastësisht të dashurin e Emmës, 16 vjeç, pak kohë më vonë, ndërsa po shkonin për në shtëpi. Ai dukej i hutuar, i dehur dhe me duar të përgjakura, sipas raportimeve lokale.
Trupi i gruas së re u gjet më pas pranë një shtegu të pyllëzuar aty pranë, i goditur me thikë në qafë dhe bark. Patologët më vonë vendosën se ajo kishte vdekur nga humbja e gjakut pas lëndimeve të saj. I dashuri i saj, nga qyteti i Pirnës, rezultoi pozitiv për drogë kur u arrestua me dyshimin për vrasje të paqëllimshme.
Që atëherë ai është vendosur në një spital psikiatrik dhe ende nuk janë dhënë informacione rreth motivit. Duke folur për gazetën gjermane Bild , babai i Emmës, producenti muzikor Patrick Drebenstedt, 42 vjeç, zbuloi se djali dhe Emma sapo kishin filluar të dilnin bashkë.
/Liberale.al/