
Në disa prej diskutimeve tepër të ndërlikuara të politikës fiskale gjermane, ndonjëherë haset një karakter anormal: “Schwäbische Hausfrau", që fjalë për fjalë përkthehet si "shtëpiake suabeze". Kjo është një shprehje shumë e njohur në Gjermani, e përdorur gati njëzet vjet më parë nga ish-kancelarja Angela Merkel dhe më pas hyri vrullshëm në ligjërimin e përditshëm për t’iu referuar kështu një personi që menaxhon me kujdes financat e familjes. Ky term tani përdoret më pak, por parimet të cilave u referohet, janë ende shumë të pranishme në debat dhe, gjithashtu në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 shkurtit.
Një term i tillë është paksa një stereotip kulturor dhe i referohet një personi të aftë për të organizuar financat e tij në mënyrë të përsosur, duke llogaritur gjithçka me idenë për të “shtrirë këmbët sa është jorgani”, Kjo konsiderohet një mentalitet i zakonshëm i kulturës ekonomike familjare gjermane, tradicionalisht përkundër idesë së marrjes borxh dhe shumë e vendosur ndaj kursimit.
Suabia nuk është një rajon administrativ, por një zonë e Gjermanisë jugore që përshkon shtetet e Bavarisë dhe veçanërisht Baden-Württemberg (kryeqyteti i të cilit është Shtutgarti). Në shekujt XVIII dhe XIX ishte një zonë shumë e varfër, vetë ky realitet ndikoi në idenë e banorëve që të ishin të kujdesshëm me shpenzimet e tyre dhe të mos shpërdoronin produktet e tyre. Sot gjërat kanë ndryshuar: si Bavaria ashtu edhe Baden-Württemberg janë të pasura dhe të zhvilluara ekonomikisht. Për shembull, prodhuesi i makinave Porsche e ka selinë në Shtutgart.
Në vitin 2012, The Guardian intervistoi një shtëpiake të vërtetë suabiane nga Gerlingen, afër Shtutgartit, e cila e konfirmoi idenë e kursimit dhe menaxhimit të financave shtëpiake. “Unë nuk blej me kredi. Njerëzit këtu nuk kanë jetuar kurrë përtej mundësive të tyre”, tha Waltraud Maier. Sipas saj, ata blejnë vetëm ato gjëra që u nevojiten me të vërtetë, duke preferuar blerje më cilësore në mënyrë që ato të zgjasin sa më shumë me kalimin e kohës.
Disa politikanë gjermanë e kanë përdorur idenë e shtëpiakes suabeze si model për organizimin e financave shtetërore, megjithëse ky krahasim është veçse një iluzion, sepse shtëpiaket gjermane duhet të përpiqen të grumbullojnë sa më shumë kursime për kohën e pensionit të tyre, ndërsa një shtet, duhet të mundohet gjithmonë për të ardhmen e vendit, duke investuar në nisma të reja dhe afatgjata.
Në vitin 2008, në mesin e një krize financiare globale, Angel Merkel tha: “Shtëpiakja suabeze do të ndante me ne këto fjalë të mençura: Në terma afatgjatë, ne nuk mund të jetojmë përtej mundësive tona”. Nga ajo periudhë, ajo e ka përdorur shpesh këtë metaforë, edhe pse ajo vetë, ishte çdo gjë tjetër, përveçse një shtëpiake. Ajo ishte kryetarja e CDU-së, partisë kryesore të qendrës së djathtë të Gjermanisë, nga viti 2000 deri në vitin 2018 dhe kancelare e vendit nga viti 2005 deri në vitin 2021. Merkel nuk është as suabeze, pasi ajo ka lindur në Hamburg, në Gjermaninë veriore.
Shembullin e amvises suabeze e ka marrë edhe ministri i Brendshëm i Merkelit, Ëolfgang Schäuble, emri i të cilit lidhet me një qëndrim rigoroz ndaj rregullave fiskale dhe mbi të gjitha me zbatimin e të ashtuquajturit “frenimi i borxhit”, një temë që prej vitesh është në qendër të debatit politik gjerman.
Rregulli i frenimit të borxhit u fut në Kushtetutën gjermane në vitin 2009 dhe përcakton se borxhi publik nuk mund të rritet me më shumë se 0.35 për qind të prodhimit të brendshëm bruto çdo vit, përveç në situata të jashtëzakonshme (siç është pandemia Covid-19). Është një kufizim shumë i ngurtë që kufizon shpenzimet dhe mundësitë e investimeve të Gjermanisë, aq sa është diskutuar prej vitesh mundësia e ndryshimit të tij.
Gjermania është ekonomia më e madhe europiane për nga PBB-ja dhe e treta më e madhe në botë. Gjithsesi, prej vitesh po përballet me një krizë të thellë: nuk ka arritur të rikuperohet realisht pas pandemisë Covid-19, aq sa ka kaluar nga ajo çfarë është konsideruar si “lokomotiva e Europës”, pra vendi që i dha shtysë të gjithë ekonomisë së Bashkimit, tek ideja e një “peshe të vdekur”, pra një barrë dhe rrezik për stabilitetin e të gjithë zonës./Përgatiti Liberale.al/