Një fluturim i kompanisë japoneze All Nippon Airways (ANA), i nisur nga Tokio drejt Houstonit, Teksas, është detyruar të devijojë kursin dhe të bëjë një ulje emergjente në Seattle. Shkak u bë sjellja e një pasagjeri që tentoi të hapte një nga dyert e emergjencës në mes të fluturimit.
Ngjarja ndodhi të shtunën, kur avioni ANA 114 u detyrua të ndryshonte itinerarin vetëm pak orë pas nisjes. Kompania raportoi se pasagjeri ishte në një gjendje krize mjekësore dhe u neutralizua menjëherë nga ekuipazhi dhe pasagjerët e tjerë. Pasi avioni u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Seattle-Tacoma, ai u dërgua në spital. Ende nuk është bërë e ditur nëse do të ngrihen akuza ndaj tij.
Përveç tij, një tjetër pasagjer u përjashtua nga fluturimi për sjellje të papërshtatshme. Fluturimi mbërriti në Houston me një vonesë prej katër orësh. ANA falënderoi autoritetet amerikane dhe vlerësoi reagimin e ekuipazhit, duke theksuar se siguria e pasagjerëve mbetet prioritet i pakompromis.
Ngjarja është pjesë e një serie incidentesh të ngjashme që kanë ndodhur muajt e fundit, duke ngritur sërish shqetësime rreth sjelljes së pasagjerëve dhe sigurisë në bord. Edhe pse ekspertët sqarojnë se hapja e derës gjatë fluturimit është praktikisht e pamundur për shkak të presionit të brendshëm të kabinës, incidentet me tentativa të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.