Mesfushori i Kombëtares, Qazim Laçi, shënoi për Spartën e Pragës në sfidën e javës së 10-të në kampionatin çek të futbollit. Forma e mirë e kuqezinjve jep edhe më shumë shanse dhe shpresë për të arritur rezultatin e pritshëm dhe ndoshta kualifikimin direkt në Europianin e Gjermanisë.
Futbollisti kuqezi i mesfushës hapi ndeshjen kundër Viktoria Plzen pas vetëm dy minutave lojë.
Pas një aksioni të bukur, Laçi nuk gaboi nga pranë portës për t'i dhënë të tijve avantazhin. Në pjesën e parë Plzen barazoi me Durossinmi, teksa më pas Sparta shënoi sërish me Kuchta.
Kujtojmë se Qazim Laçi është një pikë fikse e mesfushës kuqezi dhe duket gati për ndeshjen e 12 tetorit kundër Çekisë në "Air Albania", duel që vlen për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E.