Pasi kanë përmbyllur detyrimet me Maturën Shtetërore, ishmaturantët, tashmë kandidatë për studentë, janë në kohën që duhet të bëjnë zgjedhjen e jetës.
Portali u-albania është aktivizuar nga dje, me çeljen e mundësisë për kryerjen e pagesës së aplikimit për në universitete, çka do të pasohet me Formularin A2 e deri në shpalljen e fituesve.Gjithçka do të përmbyllet në harkun kohor të dy muajve. Në tabelën përbri, gazeta publikon kalendarin me datat dhe afatet për gjithë procedurën në raundin e parë. Të rinjtë kanë pothuaj një muaj kohë për të menduar dhjetë degët e preferuara në universitete publike e private që do të përzgjedhin në Formularin A2.
Sipas kalendarit elektronik të U-Albania, me 29 korrik fillon faza e parë e përzgjedhjes së 10 degëve të universitetit nga maturantët. Kjo fazë do të zgjasë deri më datë 3 gusht. Por maturantët duhet të shkarkojnë paraprakisht faturën e aplikimit dhe më pas duhet të bëjnë derdhjen prej 2000 lekësh në një bankë të nivelit të dytë ose në Postën Shqiptare. Koha kur maturantët mund të kryejnë këto procedura është nga data 3 korrik – 28 korrik.
Zakonisht, që të shmanget rënia e rrjetit, aplikimi bëhet sipas qyteteve përmes një kalendari që pritet të publikohet paraprakisht. Më pas, janë universitetet ato që hartojnë listën e fituesve bazuar në rezultatet e katër provimeve dhe ato të gjimnazit. Si çdo vit, ekspertët e arsimit kanë hartuar manualin shpjegues me procedurën e aplikimit hap pas hapi. U-albania është portali, nga i cili do të bëhet aplikimi dhe maturantët do të duhet të ndjekin në vazhdim për të marrë në kohë të gjitha njoftimet.
Që në hyrje të faqes, opsioni “Aplikimi A2/A3” është butoni që i çon drejt përfundimit të procesit. Gjithë çfarë duhet të mbajnë mend maturantët janë tre numra disashifrorë: ID e maturës, numri i identifikimit dhe kodi i faturës së pagesës së kryer në bankë (prej 2 mijë lekësh).
Ndërsa sesionet kryesore që janë në parantezë përpara se të qarkojnë dhjetë preferencat që duan, janë tre: informacionet personale, ai i aplikimit dhe seksioni i faturës. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm.
Fillimisht, nga portali shkarkohet fatura me kodin unik 6-shifror për arkëtim, dhe vetëm pasi të jetë konfirmuar pagesa pranë mbikëqyrësit të shkollës, mund të vazhdohet më tej me plotësimin e preferencave. Në tabelën e preferencave, përzgjidhet fillimisht universiteti, më pas dega e dëshiruar deri në dhjetë herë.
Në fund, butoni “Konfirmo” finalizon procesin që kërkon edhe një herë kodin e aplikimit që gjendet te kopja e faturës. Çdo aplikant ka mundësinë dhe sugjerohet shkarkimi i aplikimit, për ta ruajtur për më tej.
Aplikimet do të bëhen në portalin U-Albania, ku pas rezultateve të fazës së parë, maturantët do të kenë mundësinë të zgjedhin përsëri 10 degë për fazën e dytë, në datën 19 shtator – 21 shator, si dhe në fazën e tretë, në datën 12 tetor – 14 tetor. Kandidatët fitues do të regjistrohen në portalin U-Albania dhe pranë sekretarisë mësimore që ka kompetenca në lidhje me programin e studimit.
Regjistrimet duhet të realizohen sipas datave kalendarike të vendosura. Në rast të kundërt, regjistrimi do të konsiderohet i pavlefshëm dhe kandidati nuk do të mund të pajiset me një numër matrikullimi nga QSHA.
Aplikimet për raundin e parë: 29 korrik – 03 gusht 2020
Aplikimet për raundin e dytë: 19 shtator – 21 shtator 2020
Aplikimet për raundin e tretë: 12 tetor – 14 tetor 2020 /Gazeta Liberale