Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka nisur sot shqyrtimin e kërkesave ankimore të Partisë Demokratike për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Durrësit, ndërsa LSI kërkon përsëritjen e tyre në të gjitha zonat zgjedhore të qarkut.
Përfaqësuesi ligjor i PD në KAS, Marash Logu denoncoi me emra konkretë shitblerjen e votës në këtë qark. Në materialin 57 faqesh, janë të gjitha shkeljet e rënda që PD disponon që të çojnë në pavlefshmëri të zgjedhjeve e përsëritjen e tyre. Sipas tij PS në këtë qark kishte vendosur drejtues të fushatës elektorale dhe kandidatë për deputetë të cilët “janë të njohur për lidhje me botën e krimit”.
“Atë që kemi konsideruar shkelje janë ndarë në 5 kategori, blerja e votës përmes personave me rekorde kriminale, 15 prova i kemi depozituar. PS kishte drejtues politik Ardian Çelën, drejtor i OSHEE, kompani me pronësi 100% shtetërore. Çela është nën akuzë për favorizime e shkelje ligjore kur ishte nënkryetar i bashkisë Durrës, drejtuesi faktik i fushatës ishte ish-kryetari i Bashkisë Vangjush Dako i njohur për lidhje me krimin e organizuar. Lidhjet e Dakos janë shfaqur në të paktën 2 raste, 5 dhjetor 2016 kur Apeli Durrës liroi Lulzim Berishën, drejtuesi i bandës së Durrësit, se Dako dha garanci për punësimin e tij në Bashkinë e Durrësit. Rast tjetër përfshirja e Dakos në dosjen 339/1 nga përgjimet e Bild rezulton se Dako ka komunikim me Astrit Avdylajn, drejtues i një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, për zgjedhjet e 2017.
Kandidat për deputet e deputet në detyrë të PS ishin Jurgis Çyrbja, Ilir Ndraxhi, Rrahman Rraja, të njohur për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Cyrbja ish drejtor Kadastre ka dalë në përgjime të prokurorisë si i përfshirë në vepra kriminale, rasti konkret privatizimi i Vollgës. Ndraxhi doli te përgjimet e BILD si njeri për të cilin kriminelët kishin punuar për të siguruar votat e tij. Rrahman Rraja e familja e tij njihet si bandë kriminale në Fushë Krujë, familjarët e tij në vijimësi janë pjesë e personave me rekorde të tmerrshme kriminale. PD ka depo 50 kallëzime penale në SPAK, 30 prej tyre me raste flagrante të shitblerjes së votës, nga drejtues e përfaqësues të PS”.
Para se KAS të tërhiqej për vendimin, Logu theksoi se PD kërkon që provat e vëna në dispozicion të japin rezultate të dobishme në hetimin e procesit zgjedhor.
Shqyrtimi i ankesave nga KAS për zgjedhjet e 25 prillit për qarkun e Durrësit vjen pas shqyrtimit të ankimimeve për qarkun e Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës.