Aktualitet

Ambasadori gjerman: Reforma zgjedhore të drejtohet nga shqiptarët

Shkruar nga Liberale
Ambasadori gjerman: Reforma zgjedhore të drejtohet nga shqiptarët

Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf në një intervistë për News24 kërkon që të gjitha palët të bëhen bashkë dhe të kontribuojnë në plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, në mënyrë që rrugëtimi i Shqipërisë për ne BE të vazhdojë dhe të mos shtyhet më.

Gjithashtu ambasadori shprehet i qartë teksa thotë se drejtimi i komisionit të reformës zgjedhore, kusht i kërkuar nga Partia Demokratike, s’mund të bëhet nga ndërkombëtarët, por vetëm nga institucionet shqiptare.

Sipas tij ajo që mund të ofrojnë ndërkombëtarët për këtë temë, është konsulenca teknike. Ndërsa pyetjes nëse Gjermania po lobon që Franca dhe Holanda të japin një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, Peter Zingraf përgjigjet se si partner strategjik europiane, ata janë në komunikim intensiv me njeri-tjetrin.

Z.Ambasador palët në Shqipëri u ulën në një tryezë të thirrur nga OSBE në Tiranë dhe u duk sikur ngërçi politik do të zgjidhej por tashmë ka ngecur sërish. Cili është apeli juaj për palët politike?

Apeli fillimisht do të ishte si pikë e parë pikërisht thirrja për t’u përpjekur që të rivendoset besimi i qytetarëve në një proces zgjedhor të ndershëm dhe luajal, në mënyrë të tillë që të vendosen bazat e këtij procesi edhe për të ardhmen në Shqipëri. Por për këtë mbetet shumë pak kohë, arsyet janë dy, e para dhe ndoshta më pak e rëndësishmja është që nëse kushtet e Bundestagut gjerman dhe qeverisë gjermane do të vazhdojnë të mbeten edhe në tryezën e BE-së dhe për këtë vendet e unionit nuk janë të bashkuara në një pozicion, atëherë do të mbërrihet në konferencën e parë të anëtarësimit në nivel të BE-së dhe arsyeja e dytë e lidhur ngushtësisht me këtë që për mua është edhe më e rëndësishme është ajo çka thonë ekspertët që në qoftë se duam një reformë vërtetë të mirë të sistemit zgjedhor do të kemi nevojë si hap të parë për një bazë ligjore shumë të mirë, e cila më pas do të kalonte ose do të mundësonte realizimin e reformës së sistemit zgjedhor por për këtë nevojitet një afat kohor prej një viti apo një viti e gjysmë, afat i cili është absolutisht i nevojshëm për Shqipërinë.

Opozita vazhdon të këmbëngulë që reformën zgjedhore duhet ta drejtojnë patjetër ndërkombëtarët dhe kjo për arsye se nuk ka besueshmëri tek qeveria për shkak të dy dosjeve, 184 dhe 339 që flasin për vjedhjen e votave. A është e nevojshme dhe në opinionin tuaj është e arsyeshme që këtë komision të posaçëm ta drejtojnë ndërkombëtarët?

Jo, në fakt unë nuk mendoj që partnerët ndërkombëtarë do duhet të drejtonin një reformë të tillë të rëndësishme sikurse është reforma zgjedhore pasi e konsideroj këtë një detyrë të institucioneve shqiptare. Ajo çka mund të bëjmë dhe çka kemi bërë edhe në të shkuarën është pikërisht të ofrojmë asistencë teknike sikurse dhe konsulencën përkatëse për reformën si është rekomanduar nga OSBE/ODIHR.

Gjermania dha një ‘PO’ për negociatat e Shqipërisë me BE me kushte. Sipas jush cili është roli i qeverisë dhe roli i opozitës në plotësimin e këtyre 9 kushteve?

Përshtypja ime është pikërisht që rruga drejt BE-së bazohet në një konsensus të gjerë në vendin tuaj dhe që të gjitha forcat politike e dëshirojnë këtë gjë. Ajo që më mbetet mua është të shpresoj që të gjitha forcat politike dhe gjithë aktorët do të kontribuojnë në mbërritjen e këtij qëllimi. Se si do të duket roli i secilës prej këtyre forcave, në veçanti apo në momente të veçanta kjo mbetet për t’u parë. Mund të shikohet në mbërritjen e shumicave të nevojshme në parlament për të marrë vendime, sepse jemi duke folur për reformën zgjedhore apo krijimi i një dialogu politik konstruktiv i cili të jetë sa më inkluziv të jetë e mundur që të mbërrihet edhe në një stabilitet sa më të madh të mundshëm dhe kjo do të kërkojë angazhimin jo vetëm të forcave politike por të gjithë shoqërisë.

Në qoftë se kjo krizë politike, pra palët nuk ulen për ta zgjidhur, sa rrezikohet integrimi i Shqipërisë në BE? Pra, 9 kushtet nuk plotësohen…

Në fakt unë nuk e kam përdorur termin krizë politike. Më tepër parapëlqej të flas për një bllokadë sepse kriza politike të këtij lloji shikojmë në shumë vende të botës. Unë do të përdorja më tepër termin bllokadë dhe shpresoj shumë që bllokada të mund të shpërbëhet, të mund të mënjanohet në një moment të caktuar në mënyrë të tillë që procesi i integrimit, i cili me siguri do të jetë një proces i gjatë dhe do të ketë vështirësitë e veta të mos vonohet.

Holanda dhe Franca janë dy vendet skeptike për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë. Në këndvështrimin tuaj, cila mendoni se do të jetë qasja e këtyre dy vendeve ndaj Shqipërisë?

Më lejoni të përsëris që Gjermania i ka thënë “Po” çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë sigurisht me disa shënime anësore. Lidhur me këtë ka pasur edhe një debat mjaft të fortë brenda përbrenda Bundestagut gjerman. Ka pasur forca politike që nuk përfaqësojnë shumicën e Bundestagut por që janë në mënyrë të vazhdueshme skeptike, në parim përkundrejt BE-së, zgjerimit të BE-së. Kur them në parim, nuk ka të bëjë ky skepticizëm me Shqipërinë në veçanti. Propozimi i palës gjermane është mbi tryezë dhe sigurisht ne shpresojmë që bi bazën e këtyre propozimeve të mund të mbërrijmë në një shumicë të caktuar.

A do influencojë Gjermania në vendimin e Francës dhe Holandës për një “Po” dhe nga këto dy shtete?

Ne jemi sigurisht partnerë të ngushtë evropianë dhe flasim në mënyrë intensive me njeri-tjetrin dhe sigurisht që lançojmë pozicione të përbashkëta.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH