Marrë nga gazeta "Koha Jonë" e datës 02 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Pas prononcimit të kryeministrit Majko në një televizion privat të Tiranës
Majko: Nëse Meta është i përzier unë jap dorëheqjen
Kryeministri Majko të dielën në një prej televizioneve private të Tiranës deklaroi se "Nëse Meta është i përzier në historinë e vagonave unë jap dorëheqjen". Natyrisht që me këtë kryeministri ynë aludon se asgjë nuk e vërtetë, bile duke neglizhuar dhe bërë presion njëkohësisht mbi drejtësinë, e cila ka nisur një proces hetimor në lidhje me këtë aferë vagonësh në vlerën prej 250 mijë dollarë. Pra, sipas kryeministrit gazeta "Koha Jonë" ka aluduar pa dokumente. Atëherë të detyruar para një pohimi të tillë skandaloz për një kryeministër, i cili vë dorën në "zjarr" për dikë tjetër, po saktësojmë edhe njëherë:
1-Nëse "Koha Jonë" ka "heshtur" këto ditë këtë e ka bërë sepse sapo ndërhyri prokuroria me hapjen e çështjes penale për "aferën e vagonëve", ne pranuam që të presim vendimin e drejtësisë, para së cilës duhet të jemi të gjithë kokulur. Natyrisht nëse edhe prokuroria nuk tërhiqet para fakteve dhe joshjeve financiare dhe lojës politike.
2- Zoti kryeministër, i cili mbetet ende i mirë, porse nuk ia di hileve të administratës së tij, le të kërkoj edhe këto dokumente shtetërore, nr. 1751 prot. të datës 21.09.1998 të firmosur nga drejtori i Hekurudhave zoti Leonard Burnaci që ia ka dërguar ministrisë së Punëve Publike dhe të Transporteve, shkresë e cila në këtë ministri mban nr.protokollit 1339, po me datën e mësipërme. Aty vetë Burnaci, i cili mbetet për opinionin publik një mashtrues dhe duhet të dalë para ligjit thotë se janë falas. (Një kopje e kemi në redaksi të shkresës së tij dhe nëse kryeministri dëshiron do ta botojmë sa herë të dojë Majko.
Gjithashtu Majko le të kërkoj nga administrata e tij (dhe jo të akuzojë gazetën) se çfarë ka në shkresën datë 17.10.1998 të firmosur nga Ilir Çepani, këshilltar i lartë i "ARE" (Austria RAIL Engineering) të cilën ia ka drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik pranë Këshillit të Ministrave dhe përkatësisht zotit Agron Zeneli.
3-Së treti, redaksia disponon edhe dy dokumente që po t’i bëjmë publike atëherë kryeministri duhet t’i përmbahet zotimit që bëri të dielën në darkë në një prej televizioneve private se "do të jepja dorë- heqjen, nëse kishte gjë të vërtetë...". Pra, atëherë kur Majkos i duhet dorëheqja le të na kërkoj që të botojmë dy dokumente për problemin e shumëpërfolur dhe gjithçka zgjidhet.
4-Së katërti dhe së fundi, ne jemi duke pritur gjithsesi një vendim të prokurorisë së Tiranës e më pas reagimin e kryeministrit. Pas kësaj ne kemi të drejtë të publikojmë materialet shtesë që i ruajmë me fanatizëm. Kryeministri e di se "Koha Jonë" përherë boton tre fakte nga gjashtë që disponon për një akuzë publike, ndaj të mos sulmoj gazetën, e cila i do të mirën, ashtu siç nuk mund të pranoj hipokrizinë dhe retorikën. REDAKSIA E GAZETËS “KJ”