Zbardhet dosja e arrestimit të ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe 9 personave të tjerë.
Ata akuzohen për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Vangjush Dako akuzohet për dy episode të ndryshme, nën të njëjtën akuzë.
Në rastin e parë bëhet fjalë për dëmtimin e një pallati në Durrës që u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe rasti i dytë për një procedurë prokurimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.
Sipas dosjes së SPAK të siguruar nga gazetarja Daci, rezulton se për rastin e parë, atë të pallatit, zbardhja e lejes së ndërtimit është bërë më 14 Tetor 2014 ndërsa pagesa e tarifës më 16 Mars 2015. Kurse kontrolli i karabinasë së përfunduar është bërë më 10 Shkurt 2015 dhe pagesa e tarifës më 9 Prill 2015.
SPAK evidenton gjithashtu se në projekt ishte parashikuar që ashensori të zbresë deri në pjesën e garazhdeve, ndërtim ky që nuk është bërë. Me urdhër të SPAK, 10 personat e arrestuar për këtë dosje janë: Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, Fiqiri Fareuku, Adnand Toçilla, Meri Semini Priftuli, Ferzilet Hajderi, Djana Dedja.