Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një fëmijë 3 vjeç raportohet se ka ndërruar jetë pas vizitës tek dentist. Ngjarja raportohet se ka ndodhur tre ditë më parë në një klinikë private në rrugën e Kavajës.
Prindërit e fëmijës së ndjerë kanë bërë denoncim në Polici dhe kërkojnë hetim për vdekjen e djalit të tyre. Ata akuzojnë dentistin Roland Xhaxho se i ka injektuar fëmijës sasi të tepërt narkoze.
Pas përfundimit të të gjitha procedurave, prindërit kanë marrë fëmijën dhe janë larguar drejt banesës. Por pas disa orësh, 3-vjeçari është ndjerë keq dhe prindërit të gjendur përballë kësaj situate e kanë dërguar vogëlushin me urgjencë në Pediatrinë e QSUT-së.Pasi gjendja e fëmijës është përkeqësuar, ai ka qëndruar dy ditë në reanimacion dhe më pas ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, policia ka proceduar dentistin e klinikës private.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital.”, thuhet në njoftimin e policisë.