Një vatër zjarri është shfaqur këtë të diel në fshatin Zgërbonjë, Njësia Administrative Vërtop në Poliçan, duke alarmuar banorët dhe autoritetet lokale. Flakët përparuan me shpejtësi drejt kodrës me pisha, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Në ndihmë të zonës kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse nga Berati, së bashku me shtatë efektivë, të cilët pas përpjekjesh të vazhdueshme arritën ta vënë nën kontroll zjarrin.
Megjithatë, terreni i vështirë e bëri të pamundur ndërhyrjen direkte me mjete zjarrfikëse. Për pasojë, forcat u detyruan të përdorin mjete rrethanore dhe pompa uji shpine për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre.
Aktualisht, zjarrfikësit vijojnë të monitorojnë nga afër vatrat e nxehta, për të shmangur riaktivizimin e flakëve për shkak të kushteve atmosferike.