Me vdekjen e parakohshme të Shkëlzen Zallit, letërsia shqipe për fëmijë humbi një autor të rëndësishëm, ndërsa krijimtaria e tij do të mbetet në fondin e artë të kujtesës sonë.
I imët, fjalëpakë e i përkorë, shkrimtari dhe gazetari i palodhur Shkëlzen Zalli, do t’i mungojë programeve për fëmijë të Radio TIranës, sa edhe letërsisë shqipe për fëmijë. Gjatë karrierës së tij, Zalli u bë i njohur për emisionet e fëmijëve si “Mikrofoni i qershizave”, “Kolovajsa e pasdites”, “Në vallen e rritjes sonë”, ndërsa disa nga titujt më të njohur të shkruar prej Zallit janë: “Gjergji takon Skënderbeun”, “Ditari i maces”, “Pësimet e Benit”, “Treni me gaztorë” etj.
U shqua qysh femijë si i talentuar në interpretimin e këngës popullore në Tropojë, ndërsa do të ishte një nga instrumentistët më të njohur të ansamablit artistik “Dardania”.
Si instrumentist është pjesëmarrës i shumë festivaleve kombëtare të mbajtura në Gjirokastër dhe fitues i vendit të parë më 1986. Po kështu është shpallur disa herë në listën e instrumentistëve më të mirë të këtij Festivali.
Pas vitit 1992 deri në momentin e ndarjes nga jeta, punoi si gazetar, redaktor dhe së fundi si regjizor në Radio Tirana, ku la gjurmë me emisionet e tij brilate për femijë në këtë radio. Pas viteve 1990 ai do të lëvronte me shumë sukses poezinë për femijë duke u shndërruar në një nga poetët më të mirë për fëmijë.
Autor i rreth 45 librave për femijë, në zhanrin e poezisë, poemës, fabulës, përrallës, skicave dhe tregimeve, krijimtaria e tij prej shumë vitesh është pjesë e kurrikulës shkollore, të ciklit të ulët.
Ai spikati me stilin lirik, temat interesante, mendimin filozofik, edukues dhe atdhetar, leksikun e veçantë dhe figuracionin plot fantazi e shpesh ironik ndaj veseve njerëzore.
Shkëlzen Zalli u bë pjesë e jetës së femijëve shqiptarë për shumë breza, përmes poezive plot elementë stilistikë që ishin pjesë e individualitit të tij jetësor dhe letrar.
Fitues i shumë çmimeve letrare për fëmijë në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, vitin e kaluar Shkëlzen Zalli u nderua me Çmimin Kombëtar të Letërisë për Femijë, akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.
Vdekja e parakoshme, ka lënë në pikëllim familjen tij, miqtë, kolëgët dhe lexuesit e shumtë në të gjitha hapësirat shqiptare, ndërsa trashëgimia e tij letrare do të vazhdojë të rrisë breza. /Gazeta Liberale