
Blendi Lami
Kryeministri libanez dha dorëheqjen pas shpërthimit katatrofik në Bejrut. Për shpërthimin – dhe dorëheqjen – ai fajësoi politikanët e korruptuar të mëparshëm libanezë, të cilët krijuan këtë “tërmet” që goditi Libanin. Ai deklaroi se “klasa politike duhet të ketë turp, sepse korrupsioni shkaktoi këtë ngjarje”. Shtoi se “kam zbuluar se korrupsioni është më i fuqishëm sesa shteti, dhe se vetë shteti është i paralizuar nga kjo klikë qeverisëse që nuk mund të përballet me korrupsionin”.
Është një refren i shpeshtë i deklaruar nga politikanët e vendeve të tilla të pastabilizuara. Në Shqipëri, viti 97, viti 98, Gërdeci, kanabizimi, vjedhja e votave apo skandale me ndërtimin e rrugëve janë skenarë, disa prej të cilëve më rrënues sesa shpërthimi në portin e Bejrutit – shkaktuar nga korrupsioni. Madje, në Shqipëri këto “shpërthime korruptive libaneze” janë bërë rutinë, gjë që shoqërohet me kriza dhe destabilitet.
Në Indeksin e Shteteve të Dështuara (që tani quhet Indeksi i Shteteve të Brishta) është publikim i “Fondit për Paqen”, 178 shtetet klasifikohen duke u bazuar në matjen e 12 indikatorëve. Rezultatet e këtij Indeksi bazohen në të dhëna sasiore për represionin, korrupsionin, kapacitetin shtetëror dhe llojin e regjimit. Shqipëria është e renditur në vendin 121, dy pikë larg klasifikimit “Paralajmërim për shtet i brishtë”. Për momentin, Shqipëria nuk po degjeneron si Libani – mbi të gjitha – për shkak të ekuilibrave aktualë që krijon infrastruktura evropiane e sigurisë.
Niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri pengon zhvillimin e vendit, dhe aktualisht mund të thuhet se Shqipëria ka fituar statusin e një vendi me kaos të organizuar apo të kontrolluar. Kjo situatë buron – ashtu si në Liban – nga qeverisja e keqe.
Në thelb, qeverisja përcaktohet si marrëdhënia ndërmjet atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen – një karakteristikë thelbësore e çdo sistemi politik. Në librin “Qeverisja e keqe dhe korrupsioni”, autorët Richard Rose dhe Caryn Peiffer theksojnë se “qeverisja e keqe sfidon standardet për mënyrat e sjelljes së qytetarëve, siç janë votimi në zgjedhje dhe besimi tek institucionet e tyre politike. Në vend që të mobilizojë njerëzit që të jenë qytetarë të mirë, korrupsioni mund të demobilizojë njerëzit, duke i dekurajuar ata të votojnë dhe të inkurajojnë mosbesim tek qeveritarët.” Në këtë kuptim, qeverisja e keqe nënkupton korrupsionin.
Banka Botërore ka identifikuar disa indikatorë për qeverisjen, të cilët përdoren si metodë për të matur qeverisjen e keqe. Sipas Bankës Botërore, qeverisja e keqe është e përqendruar jo vetëm tek korrupsioni brenda një sistemi, por tek mungesa së transparencës, llogaridhënies, përgjegjësisë, politikëbërjes arbitrare dhe mashtrimit. Indikatorët për qeverisjen, të cilëve iu referohet Banka Botërore, tregues janë: llogaridhënia, stabiliteti politik, efikasiteti i qeverisë, cilësia rregullatore, zbatimi i ligjit dhe kontrolli mbi korrupsionin. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2019, të hartuar nga Banka Botërore, Libani renditet në vendin 137 nga 180 shtete. Në këtë renditje, Shqipëria zë vendin 106.
Në faqen e Iniciativës Rajonale Anti-korrupsion (Regional Anti-corruption Initiative), jepen këto të dhëna dekurajuese për Shqipërinë:
Indikatori Organizata Klasifikimi- Viti
Niveli i perceptimit të korrupsionit Transparency International- 35/100 2019
Efikasiteti i qeverisë Bazuar në indikatorët e qeverisjes – Banka Botërore (nga -2,5 në +2,5) +0,08 2017
Kontrolli mbi korrupsionin Bazuar në indikatorët e qeverisjes – Banka Botërore (nga -2,5 në +2,5) -0,42 2017
Indeksi i lirisë ekonomike Herritage Foundation 64,5/100 2018
Korrupsioni Vendet në Tranzicion, Freedom House
1=më i miri, 7=më i keqi 5.25 2018
Niveli i demokracisë Vendet në Tranzicion, Freedom House
1=më i miri, 7=më i keqi 4.11 2018
Pavarësisht masave të marra nga qeveri të ndryshme, Shqipëria nuk po bën progres në fushën e luftës kundër korrupsionit. Strategji të shumta janë hartuar për këtë qëllim, por rezultatet kanë rezultuar të dobëta – shpesh duke bërë regres. Në “Vlerësimin bazë” (të përgatitur nga “Qendra për Studimin e Demokracisë edhe Qeverisjes”) që i bëhet “Strategjisë Ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013 - 2020”, vërehen anomali jo vetëm në arritjen e objektivave, por edhe në formulimin e tyre. Për shembull: objektivi strategjik “Forcimi i integritetit të zyrtarëve të agjencive të zbatimit të ligjit dhe reduktimi i korrupsionit” – nga vetë emërtimi – është formuar për të parandaluar dhe reduktuar korrupsionin, për të forcuar integritetin e agjencive të zbatimit te ligjit, për të evidentuar dhe dokumentuar në mënyrë sa më efektive hetimet për korrupsion, për të krijuar një sistem të konsoliduar të dhënash për regjistrimin e hetimeve, si dhe për të rritur besimin e publikut tek strukturat shtetërore të luftës kundër korrupsionit.
Por, në lidhje me këtë objektiv strategjik, tek gjetjet kryesore dhe rekomandimet të “Vlerësimit bazë”, identifikohen mospërputhje, “duke prodhuar në këtë mënyrë sfida sa i takon përcaktimit të aktiviteteve dhe rezultateve adekuate . . . për të matur arritjen e objektivit”. Apo, gjatë procesit të matjes së indikatorëve, institucionet përkatëse nuk tregojnë përgjegjësinë e duhur, teksa “raportet vjetore të institucioneve të veçanta shtetërore përgjegjëse nuk janë publikuar, fakt ky që vështirëson mbledhjen e të dhënave zyrtare dhe informacionit” dhe “në disa raporte vjetore të publikuara të institucioneve shtetërore mungojnë të dhëna ose informacione specifike”, gjë që e bën të vështirë vlerësimin e këtij objektivi.
Këto anomali sugjerojnë një fenomen më të madh: pamundësinë dhe paaftësinë e institucioneve tona për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni shkakton qeverisje të keqe, dhe kjo e fundit sjell dëmtim të fuqisë kombëtare. Është për t’u theksuar se cilësia e qeverisjes është një nga elementet kryesore të fuqisë kombëtare – në mes të gjeografisë, burimeve natyrore, popullsisë, zhvillimit ekonomik, kapacitetit industrial, teknologjisë, ushtrisë apo diplomacinë. Për më tepër, cilësia e qeverisjes është e ndërlidhur me të gjitha elementet e tjera të fuqisë kombëtare.
Në këtë mënyrë, korrupsioni – duke e përkufizuar si keqmenaxhim të politikave zhvillimore – ka një ndikim negativ edhe në administrimin efikas të vendit dhe pengon zhvillimin e mëtejshëm.
Shpërthimi në Liban duhet të shërbejë si paralajmërim edhe për shoqërinë shqiptare. Duhet të jetë një paralajmërim për transformime të thella, jo thjesht për krijimin e një strukture tjetër anti-korrupsion për të shuar zemërimin popullor – siç ka ndodhur prej gati tridhjetë vitesh.