Ngjarja e rëndë, ku një 14 vjeçar u vra me thikë gjatë një konflikti me bashkëmoshatarë të tij, tronditi dje Tiranën dhe mbarë opinion publik.
Lidhur me këtë fenomen në rritje dhe tepër shqetësues, në studion e Opinion në tV Klan, ishte i ftuar Klaudio Pulaha nga Linja kombëtare “Alo 116”, i cili foli me shifra sa i përket rasteve të raportuara nga vetë të rinjtë apo prindërit e tyre.
Në fjalën e tij Pulaha nënvizoi se nga viti 2009-2023 janë plot 2858 raste të raportuara dhe të trajtuara nga stafi i Linjës kombëtare, ku vetëm përgjatë 2024 janë 14 mijë të tilla.
Pjesë nga fjala e Klaudio Pulaha:
Të paktën përgjatë 2024 është rasti i katërt ku fëmijë ndërrojnë jetë për shkak të zënkave. Në rast se do t’i referohemi edhe një të dhëne më të fundit në datën 11.11.2024 një zënkë dhe një plagosje me mjete prerëse ka ndodhur po në një shkollë në qytetin e Tiranës dhe padiskutim janë këto raste që duhet të ngrenë alarmin kombëtarë për bullizimin dhe dhunën mes të rinjve.
Sa i përket diskutimeve padiskutim që dhuna dhe bullizmi online zënë vendin e parë. Së pari janë rrjetet sociale dhe postimet me përmbajtje denigruese të cilat bëhen pikënisje të këtyre problematikave. Nëse i referohemi vitit 2024 ne kemi pasur 93 raste të raportuara dhe të trajtuara sa i përket sigurisë në internet ku 65% e tyre kanë qenë denigrim dhe shantazhim mes të rinjve ku nga pjesa online ato kalojnë në jetën e përditshme. Ne kemi raportime që nga mosha 6-18 vjeç, madje nga vetë prindërit e këtyre fëmijëve që raportojnë raste të përsëritura të bullizmit brenda ambienteve të shkollës.
Sa i përket një shifre dua të theksoj se përgjatë vitit 2009-2023 kemi pasur 2858 raste të raportuara dhe të trajtuara nga vetë djemtë e mitur dhe si problematike kanë pasur lëndën narkotike. Ne në ditë marrim 150-200 telefonata sepse jemi në shërbim 24 orë dhe nëse i referohemi vitit 2024 deri tani kemi 14 mijë telefonata ku të rinjtë marrin në telefon dhe kërkojnë ndihmë.