Sociale

Mungesa e ilaçeve për Hepatitin B në Shqipëri. Një problem i përsëritur

Shkruar nga Liberale

Mungesa e ilaçeve për Hepatitin B në Shqipëri. Një

Në një vend ku prevalenca e Hepatitit B shkon nga 7 deri në 9 përqind të popullsisë, përkatësisht midis 250,000 dhe 300,000 individë, mungesa e medikamenteve esenciale për trajtimin e kësaj sëmundjeje kronike është jo vetëm shqetësuese, por një krizë e heshtur që ka vite që përsëritet.

Deri në fund të vitit 2024, pacientët me hepatit B kishin akses për Tenoviral, një ilaç i përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme 100%.
Kjo siguron trajtim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm për një sëmundje që kërkon kujdes të përhershëm. Por në janar 2025, pa shumë transparencë apo paralajmërim publik, Tenoviral u zëvendësua me një tjetër medikament, Voxus, gjithashtu i rimbursueshëm plotësisht nga shteti.

Megjithatë, realiteti në terren tregon një histori tjetër. Në shumë farmaci të Tiranës dhe qyteteve të tjera, Voxus nuk ka mbërritur ende. Pacientët janë kthyer pas duar bosh, të detyruar të ndërpresin trajtimin ose të kërkojnë alternativa në tregun privat, ku çmimet janë të papërballueshme për shumicën.

Mungesat e medikamenteve për hepatitin nuk janë të reja në Shqipëri. Në vitin 2019, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tenoviral mungonte për muaj të tërë. Pacientët detyroheshin të blinin Viread, një alternativë që kushtonte rreth 150,000 lekë të vjetra në muaj, një shumë që i kalon mundësitë financiare të shumë qytetarëve.

Gjithashtu, edhe në vitin 2016, shoqatat e pacientëve paralajmëronin se furnizimi me barna për hepatitin ishte i çrregullt dhe shpesh nuk përputhej me nevojat reale të tregut. Vonesa në tendera, burokracitë administrative dhe mungesa e vullnetit politik për të adresuar problemet e shëndetit publik janë përmendur vazhdimisht si arsyet kryesore të krizave të përsëritura.

Mungesa e trajtimit të vazhdueshëm të hepatitit B çon në përkeqësim të gjendjes shëndetësore të pacientëve, duke rritur rrezikun për cirrozë, insuficiencë hepatike dhe kancer të mëlçisë. Për më tepër, pacientët e pambrojtur janë një burim i mundshëm për përhapjen e sëmundjes, duke e kthyer këtë krizë nga një çështje personale në një rrezik publik.

Ekspertët e shëndetësisë i lidhin mungesat me problemet në procesin e prokurimeve publike, mungesën e monitorimit të tregut farmaceutik dhe mospërputhjen mes listës së barnave të rimbursueshme dhe nevojave reale të pacientëve.

Ndërkohë, pacientët kërkojnë transparencë të plotë mbi proceset vendimmarrëse për ndryshimet në listat e barnave, si dhe garanci ligjore për sigurimin e vijueshmërisë së trajtimit për sëmundje kronike si hepatiti B. Por deri më tani, pacientët në Shqipëri nuk e kan pasur këtë ‘lluks’, por janë lënë në mëshirë të fatit nga institucionet përgjegjëse.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH