Prilli do të mbyllet me diell dhe temperatura rreth gjashtë gradë më të larta se normalja mujore ndërsa maji nis me rënie të vlerave të termometrit, vranësira dhe shi.
Megjithatë, sipas “Meteoalb” reshjet nuk do të jenë të pranishme gjatë të gjithë ditës.
Pritet që dhe e marta të mos sjellë shumë ndryshime, ku do të kemi herë pas here vranësira të lehta, por dielli mbetet mbizotërues dhe temperaturat do të mbeten 29 -30 gradë.
Ndryshimi nis të mërkurën, me hyrjen në muajin maj ku do të kemi vranësira, që do shoqërohen me reshje në veri, e më pas gradualisht do të përfshijnë të gjithë vendin, duke bërë që e enjtja dhe e premtja përveç intervaleve të shkurtra me kthjellime do të ketë herë pa herë reshje dhe rrebeshe. Të enjte dhe të premte rënie të temperaturave, maksimalet nga 30 në 24- 25 gradë Celsius.
Përmirësim gradual i motit pritet në fundjavë, në pjesën e dytë të së shtunës, e diela dhe e gjithë java tjetër duke rezervuar sërish ditë me diell dhe temperatura të larta.
Meteorologët thonë se gjatë pjesës së parë të majit nuk do të mungojnë reshjet ndërsa në të dytën do të ketë më shumë ditë me diell. S’do të mungojnë herë pas here stuhitë tropikale dhe stuhitë e rërës se Saharasë.
Ndërkohë që në prill i përjetuam të tre stinët në maj parashikohet të përballemi me temperatura më të larta se mesatarja shumëvjeçare.