Skandali me mishin e pulës të kontaminuar me salmonelë, që u importua nga Brazili në Shqipëri, ka shqetësuar jo pak qytetarët të cilët blejnë por nuk dinë se çfarë konsumojnë.
ish-zëvendësministri i Bujqësisë, Alban Zusi sugjeron ngritjen e laboratorëve në pikat kufitare, për të kryer analiza të shpejta për produktet ushqimore që futen në vendin tonë.
Të premten AKU pranoi se në Shqipëri ishte futur një ngarkesë me fileto pule, nga e cila 7.9 ton rezultoi me salmonelë. Administratori i kompanisë që importoi Arben Goxha është në kërkim nga policia, ndërsa vëllai i tij dhe tre inspektorë të AKU janë proceduar penalisht.
“Është mirë që të kemi në pikat hyrëse, të kemi laboratorë për analiza të shpejta, analiza që mund t’i marrim përgjigjet shpejt, brenda disa orësh, kur kemi dyshime. Nuk është kollaj të bësh një laborator në të gjitha pikat kufitare, analizat e thelluara mund t’i bëjmë në laboraorët akredituar, por një laborator për analiza të shpejta duhet ta kemi”, thotë Zusi.
Detyrim për bizneset, thonë njohësit e fushës, duhet të jetë edhe që produkti të magazinohet deri në daljen e përgjigjes së analizave.
Në rastin konkret sipas Autoritetit Kombëtar te Ushqimit kompania importues “AMG Food” nuk e ka zbatuar urdhrin për magazinimin e mishit të pulës.
“Të gjitha bizneset ushqimore, në kuadër të programit të vetëkontrollit mbi sigurinë ushqimore kanë detyrimin që herë pas here të bëjnë analiza të brendshme për vetëkontroll, përveç analizave zyrtare. Duhet futur si praktikë, që të vihet rregulli që brenda x ditëve, produkti, për të cilin është marrë mostër për analizim, ai mall duhet të qëndrojë i bllokuar për sa ditë të dalë analiza sepse edhe për bizneset është lehtësim më i madh. Ka raste që bëhet, ka raste që nuk bëhet. Në dijeninë time analizat nuk duhet të zgjasin më shumë se një javë. Ajo çfarë duhet bërë gjithmonë, është që kur merret mostra, malli të qëndrojë për një periudhë të caktuar pa lëvizur”, tha Zusi.