Duket sikur administratës i krijohen lehtësira sepse e ka më të lodhshme dhe më vështirë punën, kur në fakt nga vendi po largohen ata që punojnë në sektorin privat. 530 punonjës të administratës publike do të përfitojnë kredi të butë për blerje banese këtë vit. Aplikimet për ta mbyllen në datën 10 prill, ndërkohë që deri tani kanë shprehur interes 1000 persona.
1000 punonjës të administratës kanë bërë kërkesë për të përfituar kredi me 0% interes për blerje banese. Numri i aplikimeve është njoftuar nga Ministria e Ekonomisë, e cila u bën thirrje edhe punonjësve të tjerë nëpër ministri, shkolla, spitale e rajone policie, që të kërkojnë kredi të butë deri në datën 10 prill.
Këtë vit do të jenë 530 emra që do të shpallen fitues, pjesa më e madhe punonjës në polici, arsim e shëndetësi. Për t’u kualifikuar, ata nuk duhet të kenë në banesë në pronësi ose në proces legalizimi dhe të mos jenë përfitues në programe të tjera të strehimit.
Në aplikimin që duhet të bëjnë në e-Albania, punonjësit e shtetit duhet të ngarkojnë një sërë dokumentesh, përfshi certifikatën familjare, marrëveshjen noteriale me bashkëjetuesin dhe vetë deklarimin që nuk mbart një kredi të pashlyer.
Programi i kredive të buta, i cili aplikohet edhe nga disa bashki në vend, synon të ndihmojë qytetarët në çështjet e strehimit dhe t’i mbajë të lidhur ata me vendin ku punojnë e jetojnë.