
Familja e Martin Cani, i cili u vra disa muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar i tij me thikë, e ka cilësuar mbylljen e Tik Tok nga qeveria, si një përdorimi të tragjedisë së tyre për qëllime politike.
Familjarët e Martinit shprehen se kanë ndjekur me indinjatë mënyrën se si rasti po përdoret nga qeveria për mbylljen e rrjetit social TikTok. Familjarët theksojnë se Martini nuk u vra nga TikTok, por u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij dhe nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën.
Familjarët e të ndjerit shprehen gjithashtu se ajo që po e vret Martinin për së dyti është mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve. Ndër të tjera ata thonë se drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend dhe familja e tyre nuk do të ndalet së kërkuari që kjo vrasje të mos kalojë në heshtje. Po ashtu familjarët u shprehën se është e pa pranueshme që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij.
Deklarata e plotë e familjes Cani:
Familja Cani dënon përdorimin e vrasjes së Martin Cani për qëllime politike! Ne, familja e Martin Canit, e kemi ndjekur me dhimbje dhe indinjatë të thellë mënyrën se si tragjedia jonë po përdoret për qëllime politike dhe për të justifikuar vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok. Duam ta themi qartë dhe publikisht: Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok! Martini u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij.
Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën. Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit te tragjedisë. Martini u vra nga një sistem shëndetësor ku urgjenca e dërgon në spitalin më të largët, për shkak të një protokolli absurd, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Martini u vra sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës.
Ndërkohë, ajo që po vret Martinin për së dyti është mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve! Drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend, dhe familja jonë nuk do të ndalet së kërkuari që kjo vrasje të mos kalojë në heshtje. Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij. Në vend që të merren masa për rritjen e sigurisë në shkolla, për të forcuar edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, për të parandaluar raste të tjera tragjike, qeveria po kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të shmangë përgjegjësinë e saj reale.
Ne kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ! Ne kërkojmë që institucionet të ndalojnë përdorimin e vrasjes së Martinit si një justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie! Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike. Familja Cani.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.
Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili po trajtohet në një spital privat.
Pak çaste pas krimit të rëndë autori kishte postuar foto me thikën më të cilin autori kreu vrasjen dhe dorën e tij e gjakosur që u plagos gjatë konfliktit. Po ashtu edhe në aplikacionin "Snapchat", kishte publikuar një tjetër foto ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer.
Nga fotoja vihet re se autori ndodhet në një makinë, të cilët dyshohen se e kanë marrë atë nga vendngjarja, menjëherë pas krimit që kishte kryer. Ata që kanë marrë autorin e mitur nga vendi i ngjarjes, dyshohet se janë lajmëruar nga vetë ai dhe kanë ardhur me automjetet e tyre nga Sauku. Sipas informacioneve, ky grup nga Sauku rezultojnë të përfshirë edhe në konflikte të tjera.