“Forcimi i privatësisë dhe sigurisë së të dhënave për grupet vulnerabël në Tiranë”, është projekti më i fundit që do të zbatohet nga Instituti Liberal i Tiranës Pashko. Me kontribut disa vjeçar në shoqërinë shqiptare, përmes promovimit të parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës e ideve të liberalizmit, ky institut vjen me një fokus të shtuar te shoqëria civile, te të rinjtë, grupet vulnerabël dhe problematikat më të mprehta që ata hasin në ditët e sotme.
Në konferencën hapëse të këtij projekti, Drejtorja e Projekteve në ILP, Ervjola Osmanaj, tha se përveç tyre, instituti ka ndërmarrë disa nisma që synojnë të bëjnë të dëgjueshëm zërin e rinisë, profesionistëve apo grupeve të tjera në shoqëri.
“Krahasimisht me disa vite më parë, sot mundësitë janë shumë më të mëdha për të krijuar partneritete dhe bashkëpunime të mira me institucionet në nivel qendror dhe lokal për të garantuar që sfidat, problematikat dhe prioritetet e vetë të rinjve apo të target grupeve të tjera të shoqërisë të mund të dëgjohen dhe të përkthehen në politika, strategji dhe plane konkrete veprimi. Pra të gjitha mekanizmat ekzistojnë. E rëndësishme është që ne të informohemi, të ndërgjegjësohemi dhe mbi të gjitha të kemi vullnetin të kërkojmë ndihmë kur gjendemi në vështirësi”, theksoi Osmanaj.
Më tej, ajo sqaroi se projekti “Forcimi i privatësisë dhe sigurisë së të dhënave për grupet vulnerabël në Tiranë”, zbatohet në kuadër të SMART Balkans- Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor, i cili vjen në Shqipëri përmes Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM Albania). Qëllimi i këtij projekti është që të rrisë nivelin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë për kategori të caktuara të qytetarëve që janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve digjitale.
Për përfaqësuesen e IDM Albania, znj. Anila Salianji, ky projekt vjen në kuadër të një konteksti të ndjeshëm sa i përket sigurisë digjitale, duke pasur parasysh faktin se në Shqipëri ka pasur probleme në sferën digjitale, me shpërdorimin dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.
“Jam shumë e lumtur që po e nisim këtë bashkëpunim, jo vetëm për shkak të kontekstit, por për shkak të vlerave që Instituti Liberal Pashko përcjell dhe gjithë përvojës dhe kontributit që ka dhënë në shoqërinë shqiptare. Për ne është shumë kënaqësi jo vetëm ta mbështesim por edhe të bashkëpunojmë në vijimësi për ta implementuar sa më mirë dhe për të marrë rezultatet maksimale që presim nga ky projekt”, nënvizoi Salianji.
Duke falënderuar Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Presidenti i Bordit në Institutin Liberal të Tiranës Pashko, Preç Zogaj, tha se instituti do të bëjë që projekti të jetë i frytshëm dhe të lërë impaktin e vet në shoqërinë shqiptare. Duke iu referuar kontekstit global, ai theksoi se sot demokracia është e rrezikuar nga idetë i-liberale, që po trondisin themelet e demokracisë, të ngritura përgjatë dekadave dhe shekujve.
“Dëshiroj që ju të rinjtë të jeni shumë koshientë për këtë gjë. Ju nuk e keni jetuar diktaturën dhe ndoshta nuk e perceptoni se sa i madh është rreziku që të humbasim demokracinë. “Demokracia vjen si dhuratë, por mbahet me përpjekje”, thoshte Papa Gjon Pali II. Është një shprehje lapidare.”
Zogaj foli edhe për rrezikun që po i’u kanoset sot shoqërive nga shpërdorimi i lirisë dhe nga minimi i revolucionit të sjellë vetë komunikimi, të cilin e quajti një nga arritjet më të mëdha e sublime të civilizimit dhe botës.
“Mirëpo duhet të mbrohemi edhe nga e mira. Del në pah që të mbrohemi nga komunikimi i hapur, i gjerë, i shumëfishtë, i kudogjendur. Të gjithë kemi një botë në dorë që janë smartphon-et dhe kjo botë ka krijuar një tjetër raport me jetën tonë. Na ka ekspozuar përballë disa rreziqeve”, shtoi më tej presidenti i ILP-së.
Zbatimi i projektit “Forcimi i privatësisë dhe sigurisë së të dhënave për grupet vulnerabël në Tiranë” do të shtrihet përgjatë 8 muajve, i ndarë në disa faza. Duke bërë një përmbledhje të projektit, Koordinatori i Projektit, Gentjan Hajdari bëri një shpjegim më të detajuar të projektit dhe atë se çfarë pritet të ndodhë përgjatë muajve në vijim deri në muajin tetor kur parashikohet mbyllja e tij.
Pas seancës plenarë të konferencës, të rinjtë dhe përfaqësuesit nga njësitë administrative përkatëse zhvilluan një bashkëbisedim shumë interesant, duke shprehur problematikat, shqetësimet, rastet konkrete nga përvoja e duke dhënë më tej rekomandime se çfarë mund të bëhet më mirë për të forcuar privatësinë dhe sigurinë e të dhënave digjitale.