Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është kthyer papritur nga një vizitë në SHBA, ndërsa mediat opozitare serbe raportojnë për një incident diplomatik që përfshiu edhe administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Sipas burimeve të “N1”, një media kritike ndaj pushtetit, Vuçiç është ndaluar të hyjë në kompleksin e Trumpit në Florida, pavarësisht se kishte paguar për pjesëmarrjen në një aktivitet.
Ish-diplomati serb, Nebojša Vujović, ka komentuar ashpër ngjarjen, duke thënë se Vuçiç ka bërë një përllogaritje të gabuar strategjike. “Ai tentoi të amortizonte presionin nga Europa dhe të forconte pozicionin e tij me një foto me Trumpin përpara se të udhëtonte në Moskë. Por u gjend në mes të një loje të madhe mes Trumpit dhe Putinit, duke u vetëpozicionuar si një faktor i padëshiruar”, tha Vujović.
Sipas tij, Vuçiç me këtë veprim jo vetëm që ka humbur pikë në Uashington dhe Moskë, por ka thelluar izolimin e tij edhe në skenën evropiane. Vujović shton se studentët protestues në Beograd “e kanë detyruar të sillet në mënyrë irracionale” dhe se ai po e dëmton vetë pozicionin e tij politik.
Nga ana tjetër, zëra opozitarë në Serbi, si Borko Stefanović nga Partia për Liri dhe Drejtësi, kanë deklaruar se vizita e Vuçiçit në SHBA ishte një “fiasko e plotë”, ndërsa Zdravko Ponoš nga Partia e Qendrës u shpreh ironikisht se “Vuçiç e puthi derën, edhe pse mezi priste të puthte dorën e Trumpit”.
Ndërkohë, mediat pranë qeverisë kanë raportuar se Vuçiç është kthyer për shkak të një gjendjeje shëndetësore, por zyra e presidentit nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për situatën.