Politikë

Vendoset fati i dosjes "Partizani", demokratët dhe Berisha nesër përballë SPAK-ut

Shkruar nga Liberale

Vendoset fati i dosjes "Partizani", demokratët dhe Berisha

Për të tretën herë pas vënies nën hetim për privatizimin e klubit sportiv, Partizani, ish- kryeministri i vendit, Sali Berisha do të paraqitet nesër në SPAK.

Ndryshimi është se të hënën në orën 10:00, ai do të shkojë, jo më për t’u marrë në pyetje, por në bindje të urdhrit të gjykatës që i ka caktuar atij masën e detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore.

Masa që e detyron kreun e PD të përballet dy herë në muaj me Prokurorinë, përkatësisht, të hënën e parë dhe të fundit të muajit, iu caktua në 3 janar me vendim të Apelit të Posaçëm nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Dy prokurorët, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kundërshtuan nxjerrjen nga izolimi të liderit demokrat në Gjykatën e Apelit.

Po nesër Sali Berisha do te presë vendimin e rëndësishëm, atë të vetë fatit të dosjes Partizani nëse do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit. Vendimin nëse dosja Partizani do të kalojë apo jo në Gjykatën e Posaçme, do të jepet nga e njëjta gjyqtare që e nxori Berishën nga izolimi shtëpiak, Flojera Davidhi.

Në SPAK ai do të pritet nga mbështetës të Partisë Demokratike, që kanë paralajmëruar në protestë në derën e prokurorisë në kundërshtim të hetimeve që po bëhen liderit të opozitës.

Si funksionar i lartë shtetëror që dyshohet se ka kryer korrupsion, Berisha është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit, akuzohet edhe për pastrim parash.

I dyshuar, është edhe ndërtuesi, Fatmir Bektashi, që kreu punimet për 17 kullat në ish- kompleksin sportiv, Partizani dhe noterja, Andia Pustina.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH