Më 18 shtator 1960 - Kryeministri i Shqipërisë së regjimit komunist, Mehmet Shehu ndodhej në udhëtim e sipër për në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Me të njëjtën anije, Queen Elizabeth, udhëtonte veçmas. Për të njëjtin qëllim, në anijen ku udhëtonte ish-kryeministri i Shqipërisë komuniste ndodhej edhe Marshalli i Jugosllavise, Josif Broz Tito.
Pas vetëvrasjes, kur Enveri e shpalli “poliagjent”, këtë udhëtim të rastësishëm në një traget me Titon e shfrytëzoi si fakt për të treguar se Mehmeti ishte agjent i jugosllavëve.
Gjithsesi, gjatë mbledhjes, në SHBA ekzistonte shqetësimi se mund të ndodhte ndonjë sulm ndaj udhëheqësve komunistë prej disidentëve që jetonin në vend ose që militantët pro-komunistë të merrnin zemër për të bërë ndonjë trazirë apo atentat. Mes shumë krerëve komunistë që zbarkuan në Nju Jork, vetëm tre ishin njoftuar nga qeveria amerikane se u ndalohej të dilnin nga ishulli i Manhattan-it. Një ndër ta ishte edhe Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë. Vendimi ishte marrë pas deklaratave të ashpra dhe ofenduese antiamerikane, që kishte lëshuar qeveria shqiptare në ditët e fundit. Shqipëria në këtë kohë po bëhej gati të braktiste Bashkimin Sovjetik dhe të kërcente në gjirin e Kinës komuniste, kështu që kishte filluar sulmet e tërthorta kundër Moskës.
Një nga çështjet më të preferuara ishte qëndrimi ndaj Perëndimit. Ishte koha kur Hrushovi kishte folur për bashkekzistencë dhe Enver Hoxha, duke ndjekur shembullin e Kinës, po u binte kambanave kundër rrezikut të agresorëve amerikanë. Për ironi të fatit edhe “bashkekzistuesit” Hrushov, si dhe udhëheqësit hungarez, Janosh Kadar, u ishte ndaluar dalja nga Manhattan-i. Në javët përpara të udhëtimit për në Nju Jork, Hrushovi kishte rinisur propagandën e ashpër antiamerikane për të impresionuar afrikanët. Cirku diplomatik kishte filluar ende pa u nisur për në kryeqytetin e botës.
Tjetër fakt interesant: Pse Enver Hoxha vendosi që Shqipëria të përfaqësohej me Kryeministrin Mehmet Shehu, krahun e tij të djathtë? Përse Enveri nuk mori pjesë vetë në mbledhjen e OKB-së? Ai ndoshta nuk e mori me mend sesa bujë do të bënte ky sesion i Asamblesë së Përgjithshme në OKB. Ose ndoshta nuk ishte ende gati të përballej me Hrushovin (gjë që do ta bënte dy muaj më vonë në Moskë, në mbledhjen e 81 partive komuniste e socialiste). Ndoshta ende ishte duke studiuar situatën për të parë se deri në çfarë pike do të thellohej përçarja. Ose, ose, mbase për të kishte nisur ajo paranoja e jashtëzakonshme që do ta bënte të mos dilte kurrë në mënyrë zyrtare dhe publike jashtë kufijve të vendit, duke pasur frikë se do ta vrisnin. Udhëtimi i tij në Moskë në vitin 1960, do të ishte i fundit.