Mbledhja e kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve ka prodhuar edhe rezultatet e para për zgjedhjet e 11 majit.
Në 7 orë diskutime që shoqëruan takimin mes shefit të qeverisë dhe ministrave e drejtuesve politikë të PS, që u mbajt në Pallatin e Brigadave, është diskutuar edhe për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesit politikë i kanë dorëzuar listat paraprake te kreu i PS. Takimet janë zhvilluar “kokë më kokë” mes Ramës dhe çdo drejtuesi politik sa i përket emrave për deputet në çdo qark.
Mësohet se vetë kryeministri Rama mund të garojë në Tiranë, ashtu siç edhe ai ka deklaruar pak ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj përfundoi pas hekurave.
Skenari është që Edi Rama të jetë në listën e hapur të kryeqytetit, çka do t’i krijonte kreut të PS hapësirë për të kërkuar dhe marrë sa më shumë vota.
Referuar listës së Tiranës, ashtu siç deklaroi sot vetë Rama, do të ketë më shumë gra në listën e sigurt sesa burra. Ndërsa vetë Rama dhe deputetët e ashtuquajtur “veteranë”, me më shumë se një mandat nuk do të jenë në listë të sigurt.
Sakaq drejtuesit politikë do të jenë në listën e mbyllur, por edhe disa nga ministrat si në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.
Ndërkohë do të ketë kryebashkiakë që do të lënë postet e tyre për të hyrë në Parlament.
Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili është edhe drejtues politik i qarkut ka shprehur interesin për të qenë në listën e kandidatëve për deputet. Po ashtu një vend në listë kanë kërkuar edhe kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Mema, kreu i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj.