Lulzim Basha, kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, denoncoi edhe një herë tjetër dyshen Rama-Basha, të cilët përmes marrëveshjes së tyre për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, po tentojnë të minojnë punën e SPAK.
Basha iu referua deklaratës së Drejtoreshës për Çështjet e Europës Jugore-Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, Colleen Hyland.
Ndërkohë po sot u publikua një sondazh i fundit i BE, për Ballkanin Perëndimor, që sheh si shqetësim kryesor të shqiptarëve korrupsionin. I njëjti sondazh tregon besueshmëri të paktë për dualitetin e vjetër politik (74 për qind kundër tyre), dhe pritshmëri të lartë nga SPAK, mbi 50 për qind, në luftë kundër korrupsionit.
“Amnistia për të liruar të korruptuarit, të hetuar nga SPAK, sulmet politike të Ramës dhe Berishës, ndaj këtij institucioni, si edhe përpjekjet për të krijuar mekanizma parlamentare, që cënojnë pavarësinë dhe autonominë e fituar nga SPAK-u, janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik, për të luftuar korrupsionin, si nga qeveria aktuale ashtu edhe nga partnerët e saj në opozitë” - thekson Basha, teksa në mbyllje të reagimit të tij shton se, - “Shqipëria meriton më shumë, prandaj Demokratët Euroatlantikë kanë prezantuar një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, me qëllimin për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë, për të çuar përpara, me sukses, integrimin në BE.”
Reagimi i plotë i Bashës:
Fundi i pandëshkueshmërisë, shënon fillimin e një epoke të re politike, ekonomike dhe shoqërore për vendin, prandaj mbështetja pa kushte për SPAK-un, është jetike për të luftuar korrupsionin, i cili përbën kërcënim, për sigurinë tonë kombëtare.
SPAK ka ende shumë rrugë përpara për të justifikuar besimin e shqiptarëve, por detyra e çdo politikani me integritet është ta mbështesë inkurajojë dhe krijojë kushtet për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë në vendin tonë.
Jo vetëm që e mbështes qëndrimin e Drejtoreshës për Çështjet e Europës Jugore-Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, Colleen Hyland, se korrupsioni në Shqipëri luftohet me ndihmën e SPAK, por edhe kam depozituar në Parlament, propozime konkrete për fuqizimin e SPAK-ut, të cilat pengohen nga ata që përdorin çdo mjet, për të frenuar Prokurorinë e Posaçme.
Amnistia për të liruar të korruptuarit, të hetuar nga SPAK, sulmet politike të Ramës dhe Berishës, ndaj këtij institucioni, si edhe përpjekjet për të krijuar mekanizma parlamentare, që cënojnë pavarësinë dhe autonominë e fituar nga SPAK-u, janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik, për të luftuar korrupsionin, si nga qeveria aktuale ashtu edhe nga partnerët e saj në opozitë.
Shqipëria meriton më shumë, prandaj Demokratët Euroatlantikë kanë prezantuar një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, me qëllimin për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë, për të çuar përpara, me sukses, integrimin në BE.