Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi në Kuvend “Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave”. Theksoi se në fokus të kësaj nisme ligjore, do të jetë rinovimi i ndërtesave të vjetra për familje apo biznese, që do pasohet me kursim të energjisë elektrike.
“Ky projektligj përafron edhe direktivën e BE-së për performancën energjitike në ndërtesa, jemi vendi i parë në rajon që po e bëjmë këtë gjë dhe po ashtu mund të jemi në grupin e parë të vendeve anëtare të BE-së, që po aplikojnë këtë vendim. Një sipërmarrje ambicioze sepse vendos ca kushte të reja për ndërtimin në Shqipëri.
Duke vënë në qendër të vëmendjes, efiçensën, komfortin dhe cilësinë më të mirë të jetës së qytetarëve. Kemi edhe planin kombëtar për rinovimin e ndërtesave, që mezi pritet nga qytetarët që jetojnë në banesa të vjetra. Synojmë transformimin, për t’i kthyer në 20 vitet e ardhshme në ndërtesa me konsum minimal energjie.”
Sipas ministrit, do integrohet energjia diellore në ndërtesat e reja dhe do investohet ndjeshëm me panelet.
“Në qendër të kësaj nisme, janë kryesisht familjet në vështirësi ekonomike në Shqipëri, që nuk kanë pasur mundësi të rinovojnë apartamentet e vjetra dhe me skemat e reja të mbështetjes teknike, në të sigurojmë që asnjë qytetar shqiptar, i majtë apo i djathtë, të mos mbetet pas në nevojën për një transformim të madh. Përmes këtij projektligji, do integrojmë energjinë diellore në ndërtesat e reja. Në vend, në tarracat e pallateve është mundësia për të investuar në panele, këto panele të përdoren edhe për këtë qëllim.
Çatitë edhe tarracat të shfrytëzohen pikërisht për këtë, duke ofruar kursime të ndjeshme për familjet dhe bizneset. Do ketë edhe pika të karikimit inteligjent, të automjeteve që funksionojnë me energji elektrike, në përputhje me politikat e tjera që kjo qeveri ka sa i përket transportit.”
"Shqipërinë duhet ta duam përtej interesave partiake" - thekson Balla.
Në seancën e sotme, Ministri i Shtetit, Taulant Balla, i kërkoi opozitës të heqë dorë nga "nxirja" e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, siç iu referua ai rastit të fundit, kur kreu i PD-së, Berisha, denoncoi Shqipërinë tek eurodeputetët, duke kërkuar edhe bllokimin e negociatave.
"Hiqni dorë nga ai turpi i madh, se do të vazhdoni të zhyteni edhe më shumë. A e keni kuptuar? Vota e shqiptarëve dhe mbi të gjitha e diasporës ishte një vlerësim për punën e Edi Ramës në qeverisje dhe një ndëshkim për sjelljen tuaj ndaj Shqipërisë gjithë këto vite. Del një që paguhet me taksat e shqiptarëve, deputet i Kuvendit, dhe shkon atje duke bërtitur: ‘narko-shteti, narko-shteti’! Latë nam! Duhet t’ju vijë turp, sepse ky vend është i përbashkët, dhe shqiptarët për budallenj nuk i bëni dot."
Balla i bëri thirrje opozitës:
"Keni mundësinë e artë që, duke reflektuar mbi gjithë sjelljen që keni pasur në 12 vitet e fundit, të paktën nga shtatori e tutje, të ulemi dhe të punojmë së bashku për këtë moment historik. Opozita ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Dhe i duhet patjetër të reflektojë për t’u bërë pjesë e tij."
Gjatë fjalës së tij, Balla tha se raportuesi Schieder, në një fjali të vetme, e quajti Shqipërinë me krenari vendin e parë që vrapon për t’u bërë anëtar i BE-së.