Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila është edhe drejtuese politike e PS-së për Tiranën, u pyet nga gazetarja Mirela Milori nëse arrestimi i Erion Veliajt e ka dëmtuar bazën në kryeqytet.
Këtë të enjte në emisionin “Opinion” përballë gazetarëve ishin përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Spiropali u shpreh se socialistët janë të keqardhur për atë që ka ndodhur me Veliajn, për shkak të kontributit që kryebashkiaku ka në PS dhe në Tiranë.
Mirëpo ajo theksoi se pavarësisht pozitës së lartë të Veliajt, selia rozë nuk ka dalë publikisht ta mbrojë me armët e partisë.
Kjo ka ndodhur sipas saj, sepse PS, ia ka hedhur pushtetin e drejtësisë politikës dhe ia ka kthyer atë qytetarëve.
"Kjo është një pyetje për t’u bërë për arsyet elektorale, por unë do e nis nga fakti që ne jemi tmerrësisht të keqardhur për atë që ka ndodhur, në të gjitha pikëpamjet, si nga pikëpamja njerëzore, si kolegë, për një njeri që kemi punuar ndër vite dhe si një njeri që ka padiskutim meritat e tij në PS, por edhe në transformimin e Tiranës. Por të gjitha këto arsye dhe ndjesi tonat kanë shërbyer që të dalim publikisht dhe të mbrojmë politikisht apo me armët e partisë, qoftë dhe Erionin? Një njeri në pozita kaq të larta në PS dhe me një ndikim kaq të lartë siç ju e thoni? Jo, as në këtë rast. Pra në rastin tonë zgjedhja ka qenë shumë e qartë. Ai grupkapitulli 1 i BE-së nuk është hapur vetëm se atyre një ditë të bukur atyre iu është tekur që ne papritur të jemi në atë tryezë dhe të negociojmë sundimin e ligjit, për shtetin e së drejtës, për liritë, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ia kemi hequr këtë pushtet politikës dhe ia kemi kthyer atë qytetarëve shqiptarë" tha Spiropali.
Në qarkun Tiranë, Spiropali shprehet se kanë objektiv të marrin mandatin e 20, duke theksuar se kanë mbështetjen edhe të votës së diasporës.
“Në qarkun e Tiranës besoj se do kemi një rezultat më të lartë se i 2021. Pa diskutim nuk biem nën 19 mandate, por synojmë 20 mandate. Dyshemeje është 19 ne synojmë 20. Që ne do marrim minimumin për të qeverisur, 71 kjo nuk diskutohet as më skeptikët. Ne besojmë që do marrim një fitore më të madhe dhe më të sigurt, më gjithë përfshirëse sesa në zgjedhjet e 2021. Pra nëse kemi marrë 74 mandate, nuk besoj se ka diskutim që kjo është dyshemeja, pra do marrim më shumë sesa aq”, tha Spiropali në emisionin “Opinion”.