Policia greke ka arrestuar tre persona për vrasjen e Altin Arapajt, 41 vjeç, që ndodhi në një vresht në zonën e Rafinas. Personi kryesor i dyshuar për krimin është 46-vjeçari Mikel Selimaj, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë dyshohet se e kanë shoqëruar atë dhe akuzohen për bashkëpunim.
Avokati i Selimajt, Nikos Roussopoulos, ka deklaruar për mediat greke se viktima dhe klienti i tij ishin miq të vjetër dhe se të dy kishin konsumuar kokainë para ngjarjes. Ai tha se është kërkuar analizë gjaku dhe urine për të vërtetuar këtë fakt.
Sipas Selimajt, arma që shkaktoi vrasjen i përkiste viktimës. Ai pretendon se, gjatë një përpjekjeje për ta çarmatosur, arma u shkrep pa dashje dhe plumbi e goditi Arapajn në faqe. Avokati theksoi se nëse do të ishte një vrasje e qëllimshme, do të ishte qëlluar në kokë ose gjoks, jo në faqe.
Ndërkohë, për pronën ku ndodhi ngjarja, avokati tha se viktima kishte një mosmarrëveshje me një shtetas kanadez dhe se kjo nuk ka lidhje me klientin e tij. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.