Kronikë

Plumbi i Artë/ Nuredin Dumani kërcënon "sy për sy" avokatin: Të fus në listë edhe ty, je në ofertë!

Shkruar nga Liberale

Plumbi i Artë/ Nuredin Dumani kërcënon "sy për sy"

Nuredin Dumani, i njohur ndryshe si "i penduari i drejtësisë", dëshmoi sërish sot në gjyqin e “Plumbit të Artë”. Mësohet se ai dha detaje të forta për vrasje me pagesë, dy prej të cilave i kishte marrë nga Behar Bajri, pjesë e dosjes Metamorfoza.

“Me Behar Bajrin kam folur përmes Elton Bashës. I ka thënë Eltoni, Arlind Bushatit që u vra tani në Shkodër në ngjarjet me Licët, që e kam shok. Behar Bajri më kërkoi të bëja godije për të për Dorian Dhulin, Genc Tafilin. I kërkova 1 milionë e gjysëm euro. E pranoi shumën. Unë i kërkova në këmbim Bajrit, Talo Çelën. Ma ofroi. Më ndihmo ti, tha, se Talon e gjej unë. I kërkova ta gjej ku është. Më tha ai kam informacion se ishte në Serbi, i thashë gënjen”, tha Dumani.

I penduari i drejtësisë u përplas me ish-shokun e tij, Henrik Hoxhaj, person me të cilin shoqërohej edhe ditën kur Dumanit i bënë atentat e përfundoi pas hekurave, për të rrëfyer krimet e 12 viteve të fundit. Bashkëpunëtori i prokurorisë foli edhe per atentatin ndaj Lulzim Mashës i cili mbeti në tentativë.

“Porosinë për Lulzim Mashën ma dha direkt Suel Çela. Kam komunikuar në Matrix ose Skype. Unë dhashë porosinë, organizimin e bëri Henriku. Për këtë punë i kam dhënë një golf 4, dy armë, një “uzi” pistol, dhe një pistoletë 9 mm. Uzin e kisha me vete dhe pistoletën kur erdha nga Kosova, e kam marrë aty. Golfin ia mora mikut tim në Durrës Fatmir Troplinit. Zgjati disa muaj. Henrikut i ofrova 160 mijë euro, e pagova 10 mijë kapar”, tha Dumani. .

Për Henrik Hoxhajn, kjo dëshmi ishte kontradiktore, pasi sipas tij porosia ishte marrë për asgjësimin e djalit të Lulëzim Mashës. E në mënyrë që të arrinin tek i biri, ata i vranë të atin që djali merrte pjesë në ceremoninë mortore të babait për ta ekzekutuar aty. Me tensione të forta, gjyqi për Plumbin e Artë u ndërpre. Debatet kulmuan me kërcënimin që njëri prej avokatëve pretendoi se i penduari i SPAK i drejtoi atij.

“Të fus në listë, je në ofertë”, tha Dumani.

“Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë “Të fus në listë, je në ofertë”, tha avokati.

Njëzëri të gjithë mbrojtësit u shprehën se kërkojnë shtyrjen e seancës, ndërsa do të marrin një vendim lidhur me situatat e vazhdueshme së bashku me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

Toneve të larta nuk u shpëtoi as prokurori i çështjes dhe as togat e zeza, në përpjekje për të qetësuar palët dhe të pandehurit. Seanca e radhës u caktua me 22 prill.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH