Vllaznim Krasniqi, këngëtar nga Suhareka, ishte raportuar i zhdukur më 9 prill nga bashkëshortja e tij, pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi që nga nata e 6 prillit, kur kishte performuar në një lokal nate në fshatin Topliqan.
Bashkëshortja e tij ka deklaruar në Polici se nuk kishte më asnjë kontakt me të dhe se ai ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Ajo kishte përshkruar edhe pamjen e jashtme të këngëtarit, veshjen që kishte atë natë, si dhe tatuazhet në trup.
Megjithatë, vetëm pak orë pas raportimit, Krasniqi është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Prizren. Ai ka deklaruar se ishte larguar me vullnet të plotë dhe se nuk dëshiron më të jetojë me bashkëshorten, për shkak të problemeve që ka me të.
Këngëtari ka sqaruar se gjatë këtyre ditëve kishte qëndruar në motele të ndryshme në Prizren, duke shmangur çdo kontakt me bashkëshorten dhe familjen.
Policia ka konfirmuar se rasti është mbyllur si largim i vetëdijshëm, pa elemente të ndonjë vepre penale.