Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka reaguar për herë të parë pas takimit “kokë më kokë” me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump ditën e sotme në Vatikan. Të dy liderët morën pjesë në funeralin e Papa Françeskut.
Përmes një postimi në “X”, Zelensky deklaroi se takimi mund të rezultojë historik, nëse arrihet përfundimi i luftës, temë për të cilën ata diskutuan. Ai tha se temat e diskutimit përfshinin mbrojtjen e jetës së popullit, e po ashtu, një marrëveshje që do parandalonte përsëritjen e luftës.
“Takim i mbarë. Ne diskutuam shumë një për një. Duke shpresuar për rezultate në gjithçka që kemi mbuluar. Mbrojtja e jetës së njerëzve tanë. Armëpushimi i plotë dhe pa kushte. Paqe e besueshme dhe e qëndrueshme që do të parandalojë shpërthimin e një lufte tjetër. Një takim shumë simbolik që ka potencial të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta”- thuhej në reagim.