Dy ditë i janë dashur policisë së Ekuadorit për të liruar familjen e futbollistit Jackson Rodriguez, e cila ishte marrë peng nga bandat kriminale vendëse.
Ka qenë vetë policia ekuadoriane ajo e cila ka publikuar pamjet e shpëtimit të bashkëshortes dhe djalit të futbollistit, të cilët mbaheshin peng nga persona të armatosur kundrejt parave, të cilat nuk arritën ti marrin. Gjithcka tani ka kaluar dhe 26-vjecari është së bashku me familjen e tij, por ka kaluar një makth i cili zgjati afro 3 ditë, por fatmirësisht policia ia doli të zbardhë ngjarjen.
Kujtojmë që persona të maskuar, anëtarë të bandave kriminale vendëse shkuan në shtëpinë e futbollistit, kur të 3 personat ishin së bashku, ndërsa morën peng bashkëshorten dhe djalin e Rodriguez, me këtë të fundit që ishte fshehur poshtë shtratit. Ndër të tjera sipas policisë u morën edhe sende me vlerë dhe para të cilët gjendeshin në banesë.
Menjëherë pas ngjarjes ishte vetë lojtari i Emelec që lajmëroi policinë, ndërsa ngjarja bëri një bujë të madhe mediatike. Policia u vu në lëvizje, ndërsa tani e gjithë ngjarja është zgjidhur, dhe personat që u morën peng janë në gjendje të mirë shëndetësore.