Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) sqaroi opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike.
Mësohet se prej disa orë rezultojnë jashtë funksionit faqet e KLSH, ajo e Tatimeve, ILDKPI-ja, si dhe faqja e Kuvendit.
Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë.
AKSHI thekson se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale.
Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti, thuhet në njoftimin e AKSHI.
Mëngjesin e sotëm shumë biznese e kanë pasur të pamundur që të lëshonin fatura fiskale. Sipërmarrjet raportuan pranë Monitor se për rreth tre orë kishte probleme në aksesimin e faqes së tatimeve dhe të e-albania.
Bizneset raportuan pranë “Monitor” se fatura mund të prisnin vetëm subjektet që kishin inicializuar arkat përpara se të binte sistemi.
Pas orës 11 të paradites situata u normalizua dhe sistemet rifilluan funksionimin.