Gjatë promovimit të librit “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, me shënimet e tij nga udhëtimet në Afrikë dhe jo vetëm, botim i UET Press, gazetari Sokol Balla nuk qëndroi larg profesionit të gazetarit për të komentuar ngjarjet më të fundit në SHBA.
Rikthimi i Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, katër vjet pas ngjarjeve të hidhura të Capitol Hill, duket sikur vuri shumëkënd në reflektime për të kuptuar arsyen pse amerikanët rizgjodhën një person i cili krijoi një imazh të ri për Amerikën dhe demokracinë.
Sipas gazetarit Sokol Balla, i cili ndoqi nga afër ngjarjet e 6 janarit të 2021, përshtypjet e asaj dite nuk janë më të njëjtat edhe sot. Balla thotë se as amerikanë nuk iu pëlqen Donald Trump, por ka një arsye që ata e rizgjodhën përballë kandidates demokrate Kama Harris.
“Përshtypjet e asaj dite i kam përshtypjet e asaj dite. Kur t’i shikon që tempulli i demokracisë, të cilin ne e kemi pasur si model, sulmohet edhe fizikisht, ti tronditesh, shokohesh dhe thua se ngjarjet që ndodhin në vendin tonë s’janë asgjë me ato që ndodhin në Afrikë.
Nëse më pyet sot për ato ngjarje, pas katër vitesh besoj se ka vend për reflektim për të thënë që Amerika është vend i lirisë si individ. Amerika është vendi i të drejtave të individit. Ti nuk mund t’i mashtrosh dhe drejtosh ata në një drejtim të caktuar. Demokracia është shprehje e lirisë së individit.
Pavarësisht se neve nuk na pëlqen dhe nuk jemi dakord me Donald Trump, unë të siguroj se as amerikanëve nuk iu pëlqen. Amerikanëve iu pëlqen që Donald Trump thotë gjërat që ata mendojnë. Ky është çelësi i suksesit për çfarëdolloj politikani, edhe ai që është në pushtet, edhe ai që largohet nga pushteti, edhe ai që kërkon të rikthehet. Nëse e arrin këtë është në rregull. Por nëse mendon se mund t’i përdorësh njerëzit për t’u rikthyer e kanë gabim, e po ashtu ata që shpresojnë te modeli Trump. Modeli Trump është komplet diçka tjetër”, u shpreh gazetari gjatë bashkëbisedimit me të ftuarit dhe studentët e Universitetit Europian të Tiranës.