
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar punonjësin e policisë me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë, i dyshuar për veprat penale “Mosdhënia ndihmë” , “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Punonjësi i policisë, më 3 mars, ka përplasur me makinë një shtetas dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmë të aksidentuarit dhe duke mos njoftuar organet e rendit. Si pasojë e aksidentit, i lënduari është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë, i dyshuar për veprat penale “Mosdhënia ndihmë” , “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndalimi i tij u bë pasi me datë 03/03/2025 duke drejtuar mjetin e tij në aksin Hoçisht – Bilisht, është përfshirë në një aksident rrugor me pasojë plagosjen e shtetasit D. GJ., dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmë të aksidentuarit dhe duke mos njoftuar organet e rendit. Si pasojë e aksidentit shtetasi D. GJ., është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.