Aktualitet

FOTO E DITËS: Niset Kontingjenti I i Forcave të Armatosura në operacionin e BE në Bosnje dhe Hercegovinë

Shkruar nga Liberale

FOTO E DITËS: Niset Kontingjenti I i Forcave të Armatosura

Forcat e Armatosura të Shqipërisë (FA) vijojnë të rrisin më tej kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare, duke rritur kështu me plot 30 trupa praninë e tyre në operacionin e Bashkimit Evropian, ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë.

Një togë nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcës Tokësore do të jetë kontingjenti i parë në këtë operacion, ku vitet e fundit FA kanë kontribuar me oficerë shtabi.

Në ceremoninë e përcjelljes së këtij kontingjenti nga garnizoni i Zall-Herrit, morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ambasadori i Turqisë në vendin tonë Tayyar Kağan Atay, i Ngarkuari me Punë i BE Andre Rizzo, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhebexhia etj.

Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi se FA kanë rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, duke u rreshtuar me politikat e BE në kuadër të anëtarësimit në Union.

Forcat e Armatosura arrijnë shifrën e 500 efektivëve të dislokuar në mënyrë permanente në misione jashtë vendit. Gra dhe burra, janë të angazhuar çdo ditë, në mbarë Evropën, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Përmes këtij kontributi, Shqipëria, jo vetëm dëshmon se linjëzohet 100% me politikën e jashtme të sigurisë së BE, por ky është një linjëzim me vepra. Dhe kur e shikojmë se disa prej vendeve të BE janë tërhequr nga ky mision, ndërkohë që Shqipëria po merr përgjegjësi shtesë, e kuptojmë edhe më mirë se stabiliteti dhe paqja në rajonin tonë të munduar, është fryt i kompromiseve të vështira.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH