Në fakt beteja që ka ndezur ShBA me tarifat ndaj vendeve aleate tregon sesa e brishtë është ekonomia e Shqipërisë, të cilës i mungon një debat i tillë rajonal lidhur me partnerët e saj tregtarë. Për faktin e thjeshtë sepse Shqipëria është një vend që thuajse nuk prodhon asgjë veç etiketave për “ekspertët” e shumtë të cilët nuk “i blen” askush përtej kufijve
Presidenti i SHBA Donald Trump kërcënoi të enjten Bashkimin Evropian me tarifa 200% për disa produkte të akscizës si vera, shampanja dhe pijet e tjera alkoolike të prodhuara në bllokun 27-vendesh pasi BE vendosi, siç edhe ai e quajti "një tarifë të keqe 50%" për uiskin e distiluar në Amerikë.
Trump pretendoi në një postim në platformën e tij të mediave sociale “Truth” se BE-ja është “një nga autoritetet më armiqësore dhe abuzive të taksave dhe tarifave në botë”. Ai tha se BE ishte formuar në vitin 1993 “me qëllimin e vetëm për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara” ekonomikisht.
Më vonë, i pyetur nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë nëse mund të tërhiqej nga kërcënimet e vazhdueshme tarifore kundër aleatëve gjeopolitikë të Amerikës, Trump tha: "Ne jemi grabitur prej vitesh por nuk do të na grabisin më. Jo, nuk do të përkulemi fare."
Në muajin e fundit, Trump ka ndezur një luftë të madhe tarifore me partnerët e tij më të mëdhenj tregtarë – Meksikën, Kanadanë, Kinën dhe BE-në, në atë që ai thotë se është një përpjekje për të ndalur trafiqet e drogës, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara nga Meksika dhe Kanadaja, dhe gjithashtu për të bindur prodhuesit amerikanë që të mbyllin operacionet e tyre jashtë dhe t'i zhvendosin ato në SHBA.
Të mërkurën, Trump vendosi tarifa 25% për eksportet e çelikut dhe aluminit në SHBA nga 35 vende, përfshirë vendet e bllokut të BE-së.
Evropa u hakmor shpejt me tarifat e saj për 28 miliardë dollarë të eksporteve të SHBA-së në vendet që kanë pasur prej kohësh marrëdhënie të ngushta me SHBA-në, ndërsa Kanadaja vendosi tarifa të reja për 20.7 miliardë dollarë eksporte të SHBA-së drejt fqinjit të saj verior.
Masat e reja të BE-së do të zbatohen jo vetëm për produktet e çelikut dhe aluminit, por edhe për tekstilet, pajisjet shtëpiake dhe mallrat bujqësore. Shumë produkte të tjera industriale do të goditen nga tarifat, siç edhe morën një farë goditjeje gjatë mandatit të parë të Trump që zgjati nga 2017 deri në 2021.
Zyrtarët e BE-së pretendojnë se tarifat janë politike, sepse ato të cilat paguhen nga kompanitë importuese dhe kostoja e të cilave më pas kalohet kryesisht tek konsumatorët, po synojnë produkte nga shtetet e dominuara nga republikanët, si mishi i viçit dhe shpendëve nga Kansas dhe Nebraska, produkte druri nga Alabama dhe Xhorxhia dhe pije alkoolike nga Kentaki dhe Tenesi.
BE-ja është një destinacion kryesor për uiskin amerikan, me eksportet që u rritën me 60% në tre vitet e fundit pasi u pezulluan disa tarifa kohët e fundit.
Trump tha në postimin e tij në rrjetet sociale se nëse Evropa zbaton tarifën e saj prej 50% për uiskin e distiluar në SHBA, ai do të vendosë tarifën 200% për “të gjitha verërat, shampanjën dhe produktet alkoolike që vijnë nga Franca, BE-ja dhe vendet e tjera të përfaqësuara. Kjo nismë do të jetë e shkëlqyeshme për bizneset e verës dhe shampanjës në SHBA.”
Trump sulmoi gjithashtu gazetën Wall Street Journal, media më e madhe e biznesit në SHBA, mbi refuzimine kësaj media për të mbështetur planet e tij tarifore. Në një editorial i Journal, publikuar këtë javë nënvizohej se "shumica e amerikanëve e kuptojnë se tarifat janë një taksë për konsumatorët dhe bizneset".
Udhëheqësi i SHBA tha se gazeta “nuk e ka idenë se çfarë po bëjnë apo shkruajnë. Ata janë në pronësi të mendimit të ndotur të Bashkimit Evropian” tha Trump dhe shtoi se “opinioni i gazetës është i vjetëruar dhe i dobët, dhe shumë i dëmshëm për SHBA-në”.