Redi Ramaj, avokati i deputetit Ervin Salianji ka denoncuar Policinë e Shtetit për fabrikim provash, duke e detyruar Gjykatën e Apelit të japë një vendim tërësisht politik.
Ai thekson për Liberale.al se Gjykata e Apelit thotë se Ervin Salianji ka bërë një kallëzim të rremë, por nuk ka asnjë kallzim të bërë nga ai asnjëherë, përveç deklaratave mediatike të realizuara nga selia e Partisë Demokratike.
Sipas tij, provat me dëshmitarë, tregojnë se përveç Fredi Alizotit, gjithë të tjerët, kanë dëshmuar se çështja nuk është ashtu siç e ka fabrikuar policia. “Pra, nuk ka lidhje as Salianji me Alizotin dhe as me Albert Veliun, të ashtuquajturin ”Babale”, por thjesht ka komunikuar me gazetarin Jetmir Olldashin, i cili e ka iniciuar këtë pjesë. Provat shkencore tregojnë se zëri i Geron Xhafës është i ngjashëm, të paktën, sipas laboratorit Britanik, por ata nuk arrijnë dot në një konkluzion të saktë, pasi zëri i audio-përgjimit është i zbehtë”, thotë Ramaj.
Ai mendon se ky fakt, tregon se nëse do të ishte Geron Xhafaj në Shqipëri, do të ishte realizuar ballafaqimi i zërit me audio-përgjimin dhe si rrjedhojë do ishte një situatë krejt tjetër.
Ramaj akuzon mazhorancën socialiste për një skenar shpëtimi, duke theksuar se nuk pranuan të ballafaqojnë vëllain e ish-ministrit me audio-përgjimin.
”Ata e morën dhe e çuan Geronin në Itali. Tani jemi në këtë pikë që askush nuk e provon më zërin e atij, tani nxjerrin një USB dhe thonë merre këtë dhe bëje ekspertizën”, tregon avokati.
Dënimi ndaj Salianjit lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku aludohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës.
Pas publikimit të audio-përgjimit, Geron Xhafaj kreu kallëzim për akuzuesit e tij, duke pretenduar se audio-përgjimi ishte i sajuar. Pasi kreu kallëzimin, Geron Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane të drejtësisë për të vuajtur një dënim më të hershëm për trafik droge.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Për të pandehurin Albert Veliu u vendos dënimi me 10 muaj burg për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe 2 vjet e 10 muaj burgim “Kallëzim i rremë” në bashkëpunim, që në bashkim të tyre u vendos dënimi final me 3 vjet e 5 muaj burgim. Ndërsa Fredi Alizoti u dënua me 2 vjet burgim për “Kallëzim të rremë”.
Flet ekskluzivisht për Liberale.al avokati i Ervin Salianjit: Fabrikuan provat, deputeti demokrat nuk ka bërë kallëzim, por ka denoncuar
Liberale Newsroom
Poll