Në Tiranë po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës “Bread & Heart”, ku janë mbledhur 150 arkitektë nga Europa, Azia, Amerika Veriore dhe Jugore, të cilët punojnë aktualisht në Shqipëri. Ata janë bashkuar me partnerët e tyre për të ndarë ide dhe projekte të reja për zhvillimin urban dhe arkitekturën në vendin tonë.
Pasditen e sotme nisi pjesa e dytë e festivalit, me diskutime dhe prezantime të reja.
Një nga arkitektët më të njohur në botë, japonezi Toyo Ito, nuk arriti të ishte fizikisht i pranishëm në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore, por ai u lidh përmes një videomesazhi. Ai foli për dy projekte që po zhvillon aktualisht në Shqipëri dhe vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin që ka pasur me vendin tonë.
Në mesazhin e tij, Toyo Ito tha:
“Më vjen keq që nuk mund të jem atje për shkak të këmbëve të mia. Por jam i përfshirë në dy projekte të rëndësishme në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të shpreh idetë e mia lirisht. Më pëlqen shumë fakti që projektet janë në kontakt të fortë me tokën, ndryshe nga shumë ndërtesa moderniste që kërkojnë të shkëputen prej saj. Kam shumë shpresë për zhvillimin arkitektonik në Shqipëri.”
Pas këtij mesazhi, Kryeministri Edi Rama mori fjalën dhe ndau një pjesë nga biseda që kishte pasur me Toyo Ito. Ai tregoi se si ndërhyrja e tij ndihmoi që projekti të ruante frymën origjinale të arkitektit.
“Në një prezantim përmes Zoom-it, pamë një masterplan me dy nivele. Niveli i dytë kishte ndërtesa të mbuluara me re, dhe mua nuk më dukej si stil i Toyo Ito-s. Më pas ai pranoi se ishte një kërkesë e klientit. I sugjerova që të hiqnim atë pjesë dhe të lëmë vetëm shtresën e parë. Pas një pauze, më pyeti nëse ishte e mundur – dhe unë i thashë: ‘Varet nga ty’. Dhe ai pranoi. Projekti tani është tërësisht i tij – i pastër dhe i bukur. Shqipëria nuk e cënoi mendimin krijues të këtij mjeshtri.”